Skënder Gjinushi është shpallur kryetar i Akademisë së Shkencave pas zgjedhjeve që u kryen paraditen e së premtes. Gjinushi mori 35 vota pro dhe 6 kundër.
Ish-kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi ishte kandidati i vetëm për kryetar në zgjedhjet pë Akademinë e Shkencave. Ai është gjithashtu drejtues i grupit të punës për reformimin e Akademisë. Projektligji i dalë prej tij është në proces diskutimi në komisionin parlamentar të edukimit dhe mjeteve të informimit publik.
Për herë të parë pas ndryshimeve ligjore të 2008-s votoi edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare, përmes postës elektronike. Ndërsa akademiku Artan Fuga nuk ishte i pranishëm, pasi sipas tij këto zgjedhje janë në kundërshtim të plotë me rregulloren që parashikon akademia.
Kreu i ri i Akademisë së Shkencav, në platformën e tij i ka mëshuar reformimit të institucionit në të gjitha drejtimet, veçanërisht në fushën e kërkimit shkencor. Dy ditë më parë, Fatjona Dhimitri, kryetare e këtij komisioni, i bëri thirrje të tërhiqet nga gara pasi sipas saj, zgjedhjet në Akademinë e Shkencave janë të jashtëligjshme.
Gjithashtu Dhimitri, u bëri thirrje akademikëve që t’i bojkotojnë ato. Zgjedhjet në Akademinë e Shkencave vijnë dy vjet pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për ta reformuar këtë institucion. Të drejtë vote për të zgjedhur strukturat drejtues të saj patën 44 akademikë./abcnews.al