Skënder Gega: Nuk ka lidhje Partizani im me aktualin, ja ku kanë gabuar

schedule18:59 - 6 Mars, 2020

schedule 18:59 - 6 Mars, 2020

Skënder Gega është i drejtpërdrejtë. Trajneri kampion me Partizanin sezonin e shkuar, është rrëfyer në një intervistë të gjatë të dhënë për Supersport dhe bën një krahasim të ekipit të vjetshëm me aktualin. Gega thekson se mes ekipeve nuk ka asnjë lidhje dhe se u gabua, duke prishur themelet e asaj që u ndërtua. Një koment ai e ka bërë edhe për Esat Malën, për të cilin ai deklaron se do bënte gjithçka që të ishte pjesë e ekipit.

 

Gega gjatë intervistës për Supersport

“Nuk kam dëshirë të sulmoj. Ky ekip nuk është i imi. E para nuk jam trajner dhe nuk kam as përgjegjësi e as merita. Kam dëshirën e mirë që Partizani të ketë suksese. U gabua, u prekën themelet e asaj që ishtendërtuar. E shoh si shtëpi të bërë pa hile. Nëse e ndërton me përgjegjësi, ajo ndërtesë ka balanca dhe vështirë është të rrëzohet.

Kur erdha kishte një numër të limituar sportistësh që shiheshin si kampionë. Trashi luante edhe si sulmues, por mënyrë se si dilte në sulm, si e lexon ndeshjen, mendova se ishte më mirë të luante prapa. Jam munduar të punoj gjithë javën. U mundova të krijoj balancën me Telushin dhe Hilën, në messfushë. Mala e Asani u rritën shpejt, madje nisën edhe të ktheheshin prapa.

Kurrë nuk e mendoja se do largoheshin aq shumë lojtarë. Do doja të qëndronte i gjithë grupi. Po të ikte kush, të shkonte te Barcelona. Kurse ata që vinin të bënin diferencën. U prish ekuilibri. Trajnerët kanë filozofinë e tyre, shprehin garanci për ata që sjellin. Statistikat flasin: nuk ka lidhje ekipi që kishim me atë ekip, me keqardhje e them”.

 

Esat Mala

MALA – “Kam insistuar që Mala të firmoste sa më shpejt, kam folur me Ramën. E di që Mala kishte një kërkesë financiare më të lartë. Nuk e di pse nuk ranë dakord. Duhet gjetur mënyra që ekipi të funksionojë dhe të merret maksimumi nga grupi. Demi ka të drejtën e tij, ka investuar. Po të isha trajner do luftoja pa fund që Mala të ishte pjesë e grupit”, u shpreh Gega. /abcnews.al