“Skenar tmerri”, racisti gjerman vrau 10 vetë në shisha-bar: Gjendet letra

schedule09:37 - 20 Shkurt, 2020

schedule 09:37 - 20 Shkurt, 2020

Masakra me 10 të vrarë në dy lokale nate në qytetin e Hanaut, pranë Frankurtit ka tronditur Gjermaninë. Autori një shtetas gjerman, pas skenarit të tmerrshem vrau veten. DW duke iu referuar burimeve në polici shkruan se autorit i janë gjetur një letër dhe 1 video që janë duke u vlerësuar nga ekspertët. Hetimet i ka marrë ndërkohë përsipër Prokuroria e Përgjithshme gjermane. Sipas informacioneve të dpa-së, ka të dhëna se krimi ka për motiv urrejtjen ndaj të huajve, me shenjestër turqit dhe kurdët.

Gjithsej në Hanau humbën jeten 11 vetë, 10 të vrarë dhe autori që u vetëvra, ndërsa katër vetë janë plagosur. Edhe gazeta “Bild” shkruan, se autori i dyshuar ka vepruar me motiv ekstremist të djathtë. Autori i vrasjeve është një gjerman që ka pasur të drejtën e armës për gjueti. Në automjetin e tij është gjetur edhe municion luftarak, raporton “Bild” bazuar në qarqet e policisë.

Sipas njoftimeve të radios së landit Hesen, fillimisht u sulmua një shisha-bar në qytetin e Hanaut që frekuentohej nga kurdët dhe turqit. Dëshmitarë okularë kanë thënë, se ka pasur disa të shtëna, pastaj autori apo autorët janë larguar me automjet. Në lagjen Kesselstadt është qëlluar sërish në një shisha-bar tjetër. Edhe këtu ka pasur disa viktima. Të enjten në mëngjes, policia bëri të ditur, se ka gjetur kufomën e autorit të dyshuar në apartamentin e tij në qytetin Hanau. Aty forcat speciale gjetën edhe një person tjetër të vdekur.

Tronditje në Gjermani

Kreu i bashkisë së Hanaut, Claus Kaminsky, CDU u shpreh i tronditur për dhunën në qytetin e tij. “Kjo ishte një natë e tmerrshme që do na preokupojë gjatë dhe do të qëndrojë gjatë si një kujtim pikëllues.” Kreu i bashkisë porositi që shkollat dhe disa kopshte në Hanau të mbeteshin të mbyllura ditën e enjte. Edhe deputetja e Bundestagut e zonës zgjedhore të Hanaut, Katja Leikert, CDU u shpreh e tronditur e bëri fjalë për një “skenar tmerri”. “Në këtë natë të tmerrshme, u dëshiroj familjeve të viktimave shumë forcë për të përballuar dhimbjen dhe shpreh ngushëllimin e thellë.”

Qeveria gjermane reagoi e tronditur pas dhunës në Hanau. “Mendimet tona janë këtë mëngjes tek njerëzit në Hanau, në qendër të të cilit u krye një krim i tmerrshëm”, shkroi zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert në twitter. “Ngushëllimet tona për familjet e prekura që vajtojnë për të afërmit e humbur”, shkruan Seibert.

I tronditur u shpreh edhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel. “Humbja e pakuptimtë e jetëve të njerëzve është një tragjedi, pavarësisht ku ndodh ajo”, shkroi ai në twitter- “Pas sulmit të tmerrshëm jemi me mendje tek njerëzit në Hanau.”

https://twitter.com/Hoffaktor_/status/1230283079543029762

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!