Nevil Dede, trajneri i Shqipërisë U-19, ka folur në Pressing, ABC News, për skemën e trajnerit të Kombëtares A, Edy Reja. Sipas Dedes, skema nuk është shumë e rëndësishme, por ajo çfarë japin lojtarët në fushë.
“Skema e Rejës? Do jap një përgjigje të thjeshtë, të bukur: Në fund fare, trajneri mund të bëjë zhgarravina sa të dojë, mund të luajë me cilën skemë të dojë ai, por në fund të fundit, rëndësi ka si funksionojnë futbollistët në fushë.
Do them dhe një fjali pikante: Kallaku mund të mos prekë asnjë top, por në momentin që ai prek një top, jep një vertikale dhe nxjerr Brojën totalisht të lirë. Nëse Broja shënon, Kallaku në rregull, Broja në rregull, Shqipëria në rregull. Kështu është futbolli”, tha Dede.
Bardhyl Jera më pas shtoi: “Nëse Kallaku luan pas dy pykave është më rezultativ. Ishte hera e parë që e ndiqja 90 minuta. Ka aftësi të dalë para portës dhe të godasë. Duhet të forcohet fizikisht, me një goditje mund të shënonte nga 16 metra. Sa i takon krahut të djathtë, nuk funksionoi fare.
Kishte gabime foshnjarake, ndërsa majtas luajtëm mirë, qarkulluam topin. Trashit i jap notë maksimale, ishte një nga më të mirë në sulm e mbrojtje. Për Abrashin them se nuk luan para dy mbrojtësve. Ai luan në krahët e qendrës. Nuk më pëlqeu në atë pozicion”.
/abcnews.al