Skandali Qatargate/ Eva Kaili flet për herë të parë nga burgu: Kam menduar vetëvrasjen

schedule10:51 - 31 Mars, 2023

schedule 10:51 - 31 Mars, 2023

Eurodeputetja greke Eva Kaili, e cila ndodhet në burg që prej dhjetorit në lidhje me hetimet për Qatargate, ka folur për herë të parë për arrestimin e saj, shkruan Tgcom24.

“Në gjashtë javët e para, mendova disa herëvetëvrasjen”, tha ajo në një bisedë me Deborah Bergamini, deputete e Forza Italia dhe anëtare e delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Jam e pafajshme dhe do ta vërtetoj”, theksoi Kaili. “Pas zhurmës së ditëve të para të kësaj afere, askush nuk flet më.

Unë nuk ndihem viktimë, ndihem si trofe i një persekutimi politik që përfshin një paragjykim, që në çdo rast ekziston ndaj parlamentarëve dhe politikanëve të Europës Jugore, maltezët, grekët, italianët etj”, shprehet politikania greke.

Kanë kaluar pothuajse katër muaj nga skandali i Qatargate, që kur Kaili u arrestua më 9 dhjetor, së bashku me tetë persona të tjerë, duke përfshirë partnerin e saj Francesco Giorgi, që kishte punuar me ish-deputetin europian të Brukselit Antonio Panzeri, i cili gjithashtu përfundoi në burg, raporton abcnews.al.

Akuza është ajo e korrupsionit. Kaili dyshohet se u përpoq të ndikojë në vendimet e Parlamentit Europian në lidhje me Katarin në këmbim të parave.

Në frontin e betejës ligjore, eurodeputetja apeloi në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, duke kërkuar “të anulojë vendimin e Kryeprokurorit Europian të datës 15 dhjetor 2022, që përmban kërkesën për heqjen e imunitetit parlamentar dhe të anulojë Vendimin e Presidentit të Parlamentit Europian, të datës 10 janar 2023, për ta shpallur këtë kërkesë gjatë seancës plenare të Kuvendit dhe për t’ia referuar Komisionit për Çështjet Ligjore”.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!