Ministri izraelit i Mbrojtjes Benny Gantz do të vizitojë Francën gjatë kësaj jave për të diskutuar rreth softuerit Pegasus, i prodhuar nga firma kibernetike izraelite NSO që dyshohet se është përdorur për të shënjestruar Presidentin Francez Emmanuel Macron.
Telefoni i Macron ishte në listën e të shënjestruarve që ishin mbikëqyrur nga Maroku, i cili përdori programin Pegasus të NSO Group , sipas gazetës franceze Le Monde.
Udhëheqësi francez ka bërë thirrje për një hetim. Gantz do të takohet me Ministren Franceze të Mbrojtjes Florence Parly të mërkurën.
“Gantz do të diskutojë krizën në Liban dhe marrëveshjen me Iranin. Ai gjithashtu do të diskutojë NSO,” tha ajo.
Ministria e Mbrojtjes së Izraelit mbikëqyr eksportet tregtare të spyware dhe teknologjive të mbikëqyrjes kibernetike si Pegasus. Në një hetim global të botuar javën e kaluar, 17 organizata mediatike, thanë se Pegasus kishte hakuar telefonat që u përkisnin gazetarëve, zyrtarëve qeveritarë dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut.
Izraeli ka krijuar një ekip për të vlerësuar çdo keqpërdorim të mundshëm të spyware. NSO hodhi poshtë raportet, duke thënë se supozimet ishin të gabuara dhe të pabaza. Pegasus përdoret vetëm nga agjencitë e inteligjencës qeveritare dhe agjencitë e zbatimit të ligjit për të luftuar terrorizmin dhe krimin, tha kompania.
Udhëtimi i Gantz ishte planifikuar përpara skandalit të NSO dhe kishte për qëllim të përqendrohej në rritjen e krizës ekonomike në Liban dhe në përpjekjet e fuqive botërore për të firmosur një marrëveshje bërthamore me Iranin, sipas mediave izraelite.
Ministria e jashtme e Francës tha të hënën se Irani po rrezikonte mundësinë e përfundimit të një marrëveshje me fuqitë botërore mbi ringjalljen e marrëveshjes nëse nuk do të rikthehej në tryezën e bisedimeve./abcnews.al