Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion është vendosur në lëvizje pas zbulimit të skandalit të “Pandora Papers”, ku janë përfshirë qindra politikanë të niveleve të larta në të gjithë botën, përfshirë edhe një nga Shqipëria, identiteti i të cilit ende nuk është zbuluar. Gjithashtu të përfshira janë edhe 13 kompani që kanë pas tyre qytetarë shqiptarë. “Po verifikojmë cfarë është publikuar dhe në përfundim, do të vlerësojmë nëse janë kushtet për të filluar një procedim penal” tha Arben Kraja për “ABC LIVE”. Deri tani është zbuluar vetëm emri i njërit prej shqiptarëve të përfshirë, i cili është Vasil Kallupi (lexo këtu).
Dokumentet zbulojnë se një firmë e vogël konsulence e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe një muaj më parë, kompania ‘AL Energy Transmission’ e cila drejtohet nga biznesmeni shqiptar, Vasil Kallupi, ka marrë nga Energoinvest një shifër prej 3.6 milionë eurosh.
“Panora Papers” zbuloi se 330 zyrtarë publikë në të gjithë botën kanë lidhje me llogaritë offshore. Dokumentet e ekzaminuara tregojnë shtrirjen, në të cilën operacionet sekrete offshore kanë prekur politikat financiare globale. Investigimi i publikuar më 3 tetor ka zbuluar, se 35 përqind e udhëheqësve të sotëm dhe të mëparshëm botëror, përfshirë edhe ish-kryeministrin Britanik Tony Blair, mbretin e Jordanisë dhe presidentin e Kenias, Uhuru Kenyatta, si edhe miliarderë të fuqishëm janë partnerë në kompani që shfrytëzojnë parajsat fiskale offshore./ Abcnews.al