Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish skandalin e publikimit të pagave të qindrave qytetarëve shqiptarë. Kreu i qeverisë i është përgjigjur komentit të një qytetareje në Facebook, e cila i ka shprehur shqetësimin për të dhënat e shqiptarëve që janë në duart e kujtdo, përshirë edhe ato të grupeve kriminale.
Lidhur me këtë shefi i qeverisë kujton se ngjarje të ngjashme kanë ndodhur edhe në shtete shumë më të madha, ndërsa thekson se prokuroria duhet të nxjerrë sa më parë fajtorin. Kryeministri bën të ditur gjithashtu se do të finalizojnë marrëveshjen për të marrë një njësi amerikane në mbrojtjen e sistemeve informatike.
Edi Rama: Nxjerrja e të dhënave është një problem me te cilin ballafaqohen të gjitha vendet në epokën e teknologjisë digjitale, qoftë për shkak të sulmeve kibernetike apo qofte si pasojë e veprimeve kriminale të individëve brenda sistemeve shtetërore! Amerika, Anglia, Franca e me radhë kanë pasur ngjarje të ngjashme dhe madje në ndonjë rast me pasoja tejet të rënda përtej kufijve të vet shtetit, por ky nuk është kurrsesi justifikim, përkundrazi.
Prandaj uroj që prokuroria të nxjerrë së shpejti fajtorin dhe drejtësia t’i japë ndëshkimin e merituar, ndërkohë që në do të finalizojmë sa më parë marrëveshjen që po punojmë prej disa kohësh, për të marrë një njësi të mirënjohur amerikane në mbrojtje të sistemeve tona informatike.
Sa për përgjegjësinë unë nuk i shmangem kurrë përgjegjësisë, por dy gjera kam në kete rast: E para, kur ngjarje shumë më të rënda të kësaj natyre kanë ndodhur në shtetet e lartpërmendura apo në të tjera akoma, nuk ka ndodhur që të fajësohen autoritetet shtetërore, por është adresuar problemi për të nxjerrë fajtorët e për të forcuar sistemet. E dyta, mua nuk më servir dot askush asgjë sipas qejfit, sepse detyra ma mundëson që të marr opinione nga shumë drejtime për të njëjtën çështje. Shëndet dhe gëzuar familjarisht Vitin e Ri.
Ndërkohë kreu i qeverisë Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja anti-evazion.
“Pagat shume të larta janë të deklaruara e taksohen sipas ligjit me 23%, por problemi madhor është pjesa e padeklaruar e të ardhurave të shumë kompanive, përfshirë edhe pagat e ulëta fiktive që kompensohen me lekë në dorë. Janë bërë përmirësime të ndjeshme në këto vite, po ka ende shume luftë për të bërë dhe prandaj do vijojmë me masa të reja anti-evazion”, tha kreu i qeverisë. /abcnews.al/