Skandali me publikimin e pagave, arrestohen 4persona, të dyshuar për nxjerrjen e databazës

schedule09:18 - 7 Janar, 2022

schedule 09:18 - 7 Janar, 2022

Katër persona janë arrestuar nga policia në lidhje me skandalin e publikimit të databazave me listën e pagës së 690 mijë qytetarëve. Arrestimi i tyre është bërë nga policia me kërkesë të prokurorisë së Tiranës e cila prej të paktën dy javësh ka nisur një hetim në lidhje me këtë çështje. Policia ka njoftuar një konferencë për shtyp në orët e paradites së sotme ku pritet të bëhen publike më shumë detaje në lidhje me rolin e personave të arrestuar.

Të dhënat financiare të mbi 630 mijë qytetarëve për muajin janar 2021 qarkulluan lirisht pak javë më parë përmes aplikacionit Whatsapp, por skandali u thellua edhe më tej pasi dje doli një listë e shtuar deri në 690 mijë punonjës, me të dhënat e prillit.

Materialet përmbajnë të dhëna personale si numrin e kartës së identitetit, numrin e identifikimit të shoqërisë ku janë punësuar ata, përfshirë pozicionin e punës dhe numrin e telefonit. Pas këtij skandali kryeministri Edi Rama u kërkoi ndjesë qytetarëve që ishin pjesë e dokumentit me të dhëna personale.

Ai i bëri thirrje prokurorisë të zhvillojë hetime të imtësishme, ndaj atyre që sipas tij me këtë akt synojnë të sjellin konfuzion dhe destabilitet. Rama theksoi se investimet në zhvillimin e këtij sektori do të jenë të pandalshme për të garantuar edhe më shumë siguri. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!