Programi për mbledhjen e të dhënave në Facebook “u nis nga Cambridge Analytica nën mbikëqyrjen e Steve Bannon, ish strateg i Donald Trump”. Këtë e konfirmon Chris Wylie, njeriu që ka shkaktuar skandalin, duke saktësuar që Bannon, 3 vite përpara detyrës së tij në Shtëpinë e Bardhë, filloi të punojë në një program amicioz: të krijojë profile të hollësishme të miliona votuesve amerikanë.
Bannon kishte për qëllim të provonte efektivitetin e shumë prej atyre mesazheve populiste që më pas ishin në rrënjët e fushatës zgjedhore të Trump. Numri një i revistës ultrakonservatore Breitbart News, iu bashkua bordit të kompanisë Cambridge Analytica ku ishte nënkryetar nga qershori 2014 deri në gusht 2016, kur u bë një nga drejtuesit e fushatës zgjedhore të Trump. Ishte ai që ndihmoi në nisjen e kompanisë falë financimit të mbështetësve të tij të pasur, duke filluar me familjen e miliarder Mercer.
Ish-punonjësi i Cambridge Analytica, Wylie, në një intervistë me Washington Post, shpjegon se në fakt Bannon ishte në atë kohë shefi i Aleksandrit Nix, drejtor i diskutueshëm i kompanisë që është pezulluar nga zyra në orët e fundit. “Nix nuk kishte autoritetin të shpenzonte të gjitha paratë”, thotë Ëylie, i cili shpjegon se si Bannon miratoi në 2014 një shpenzim prej rreth një milion dollarë për të blerë të dhënat personale të mbledhura në Facebook.
Ndërkohë, Uashington Post raporton se Bannon ka marrë nga Cambridge Analytica në 2016 mbi 125 mijë dollarë si kompensim për konsulencën e tij dhe ka zotëruar një pjesë të kompanisë për një vlerë që shkon deri në 5 milionë dollarë. /abcnews.al