Nga Emanuel Pietrobon, Il Giornale
Një skandal mafioz vrasjesh dhe korrupsioni ka përfshirë peizazhin politik turk, duke risjellë në vëmendjen e opinionit publik turk kohërat e skandalit “Susurluk” dhe epokës së artë të Alaattin Cakici. Ngjarjet shumë të rënda të datës 26 maj, detyruan ndërhyrjen e autoritetit më të lartë shtetëror, presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, duke e ekspozuar personalisht ndaj kësaj çështjeje.
Çfarë po ndodh
Gjithçka filloi në fillim të muajit maj, kur një personazh i errët po aq edhe popullor në Turqi, Sedat Peker – sipërmarrës, filantrop, mendimtar turanist dhe ish-pjesëtar i botës së krimit në këtë vend -nisi të postonte një seri videosh me përmbajtje skandaloze në YouTube.
Ato përmbanin një titull domethënës:“Peker kundër AKP”.Peker, që brenda 3 javësh postoi 7 video, të cilat u panë gjithsej rreth 60 milionë herë, po denoncon shërbimet sekrete dhe klasën politike turke – përfshirë anëtarët e presidencës Erdogan, siç është Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu – për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe shumë të qartë me krimin e organizuar.
Një marrëdhënie kjo miqësore midis politikanëve turq dhe anëtarëve të mafias turke, e cila sipas Peker, shtrihet nga zhvatja tek trafiqet e paligjshme, dhe nga ryshfetet ndaj zyrtarëve tek trafikimi i grave për prostitucion.
Ndër të tjera, Soylu akuzohet nga ish-bosi i mafias që është shndërruar tashmë në një sipërmarrës, se ka qenë për 20 vite me radhë në listën e pagesave të organizatës së tij kriminale, dhe se ka orkestruar vrasjen e gazetarit qipriot Kutlu Adali në vitin 1996.
Akuzat shumë të rënda, që mbështeten nga prova që duhen verifikuar, kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik – videot e tij që janë parë nga 2deri në 3 turq – e bindën Erdoganin të ndërhynte në mbrojtje të ministrit të tij, të cilin ai e konsideroi viktimë të një fushate shpifjesh të konceptuar nga krimi i organizuar për shkak të veprimeve të tij kundër mafias.
Po pse pikërisht tani?
Erdogan, Soylu dhe kreu i Partisë Nacionaliste, Devlet Bahceli, e kanë akuzuar Peker si një kukull në duart e një pale të tretë që synon të dëmtojë ekonominë turke. Nuk dihet se pse ish-bosi i mafias turke zgjodhi pikërisht këtë moment për të sulmuar qeverinë, e cila në fakt po përballet me një krizë serioze ekonomike, dhe një “Susurluk” i ri mund ta përkeqësojë imazhin e Ankarasë në sytë e investitorëve të huaj.
Por përveç pistës së një skenari të orkestruar nga jashtë vendit dhe që po promovohet nga njerëzit e Erdogan, nuk mund të përjashtohet që gjithçka të jetë e lidhur me një përplasje brenda Shtetit të Thellë.
Peker u dënua me 10 vjet burg gjatë gjyqit të madh kundër organizatës sekrete “Ergenekon”, një dënim të cilin ai nuk e vuajti kurrë, teksa përfundoi sërish vitin e kaluar në shënjestrën e drejtësisë turke. Është më pak e qartë arsyeja e kohës së zgjedhur, por shumë më i kuptueshëm motivi që fshihet pas akuzave të Peker.
Sepse Peker, që pas përvojës së tij kriminale në Turqi ka vepruar midis Ballkanit dhe Lindjes së Mesme dhe banon aktualisht në Dubai, ka qenë prej kohësh një mbështetës i Erdoganit, imazhin e të cilit ai e promovoi për vite me radhë përmes kanaleve të tij sociale – 1.6 milionë ndjekës në Facebook, 1.4 milionë në Instagram, 1 milionë në Twitter, dhe gati 800.000 në YouTube.
Prandaj, denoncimet e tij të papritura janë konsideruar të sinqerta nga opinioni publik, dhe partitë e opozitës po kërkojnë dorëheqjen e Soylu derisa të sqarohet e vërteta mbi këto akuza. Por sulmet përmes videove të Peker, mund të jenë konceptuar edhe si një reagim ndaj rihapjes së hetimeve kundër tij.
Për këtë arsye,muajin e kaluar hetuesit ndërmorën një kontroll në një nga shtëpitë e tij në Stamboll. Duke përfituar nga statusi i tij si figurë publike – e kaluara e tij e errët nuk e pengoi të fitonte një famë të madhe – Peker mund të ketë vendosur ta përdorë ndikimin e tij të madh në mediat sociale për të anashkaluar pengesën e medias tradicionale – që është gjithnjë e më shumë pro AKP – dhe të arrijë me shpejtësi një audiencë ndërkombëtare pa asnjë kosto.
Drejtësia turke do të ketë barrën e vërtetimit të vërtetësisë së akuzave që Peker po bën kundër AKP-së. Por ndërkohë, edhe në mungesë të këtij hetimi, opinioni publik turk duket mjaft i sigurt për një gjë:ish-bosi i mafias, të cilin trafiqet ndërkombëtare e kanë bërë një milioner, dhe që ka qenë pjesëmarrjes në gjyqin ndaj“Ergenekon”, nuk është dhe nuk ka qenë kurrë një peshk i vogël.
Kjo pasi ai i përket atij brezi kriminelësh që jetuan dhe shkaktuar skandalin “Susurluk”. Prandaj në sulmet e tij mund të fshihen disa të vërteta. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al