Çfarë emri mund t’i vëmë asaj që ka ndodhur nuk dimë, por absolutisht është diçka jo normale. Paaftësi, apo mbyllje e njërit sy, këtë përgjigje mund ta japin vetëm në FSHF, aty ku shpesh prodhohen çudi nga më të ndryshmet. Disiplina thyen rekorde, por as ata që duhet të zbarkojnë vendimet e atij organi nuk i kanë lënë gjë mëngët më këtë që kanë bërë me Tiranë.
Zanafilla e gjithë historisë është në derbin e parë të kryeqytetit, Tirana-Partizani, që të gjithë e kujtojnë edhe për sherrin që ndodhi pa nisur sfida. Siklet i madh për Komisionin e Disiplinës, që për herë të parë vendosi të dënojë individualisht tifozë të bardhebluve dhe të vendosë mbylljen e një sektori të stadiumit “Selman Stërmasi”.
VENDIMI I DATËS 2 TETOR – KF “Tirana”, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në organizimin e ndeshjes kundër FK “Partizani”, datë 29.09.2019, duke mos vlerësuar nivelin e riskut, duke mos garantuar zbatimin e ligjit, mbarëvajtjen e rregullit dhe qetësisë në stadium, si dhe për sjelljen e gabuar të spektatorëve duke shfaqur materiale propaganduese me të cilat kryen provokime me karakter politik dhe shoqëror, në bazë të Nenit 63/1/a,Nenit 63/1/b, Nenit 64/5, Nenit 65/3/a/b/c/d/e/f/h/j/k, dhe Nenit 65/4/b/ të KDS, dënohet me zhvillimin e 4 (katër) ndeshje pa spektator në stadiumin përkatës si dhe gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) lek. Në zbatim të Nenit 32/3 të KDS, pezullimin e pjesshëm të zbatimit të këtij dënimi duke urdhëruar shlyerjen e gjysmës e tij.
Urdhërimin e KF “Tirana”, të mbyll pjesërisht stadiumin”Selman Stërmasi” në sektorin G3 (ky sektor nuk ekziston, sektori G2 ka qëndruar i mbyllur në takimet e luajtura pas dënimit), për sezonin futbollistik 2019/2020, duke ndaluar hyrjen në stadium të grupimit të tifozëve “Capital Crew”.
Në bazë të Nenit 11/1/g të KDS, ndalimin e hyrjes përgjithmonë në çdo stadium ku organizohen aktivitete të FSHF të personave të mëposhtëm: Elton Bande, Alban Rexha, Getard Celiku, Mateos Majani, Aksel Manxhari, Thanas Bendo, Bledar Luga, Gentian Qosja.
SKANDALI – Ka diçka që nuk shkon, pasi Tirana deri në fund të sezonit, në stadiumin “Selman Stërmasi” do të duhet të mbante të mbyllur një sektor: G2-shin. Sa kohë bardheblutë luajtën në shtëpinë e tyre, e vuajtën dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës.
A ndodhi diçka e tillë në derbin e fundit? Jo. Mjaftoi që Tirana të ndryshonte stadium dhe kështu ai dënim u zhduk si me magji. “Air Albania Stadium”, që FSHF i çoi rreth 50 milion lekë në arkat e saj prej derbit, ishte i mbushur kudo.
Delegati i ndeshjes, Lysien Nyrishmi, çuditërisht nuk pa asgjë që nuk shkonte. Normalisht, përveç sektorit të lënë bosh për arsye sigurie, do të duhet që një sektor në stadium të ishte bosh, pasi klubi i Tiranës ishte i dënuar. Presupozohet që grupimi Urban Crew të mos ishte në stadium, jo vetëm në derbi, por edhe në ndeshjet e tjera. Ata normalisht e kanë ndjekur skuadrën e tyre të zemrës, në sektorin pas porte sa është kuptuar.
Dënimi pas derbit të parë është zhvlerësuar, edhe pse nuk ka një vendim që e ligjëron diçka të tillë. Tirana, që me siguri nuk është se e ka menduar pjesën e shmangies së dënimit të marrë pas derbit të zhvilluar në muajin shtator, ia ka hedhur Komisionit të Disiplinës, që pjesërisht vendimi i marrë më 2 tetor, i del nul. /abcnews.al