Skandali i “DH Albania”, në 5 vjet APP ka përjashtuar 35 kompani

schedule16:56 - 21 Dhjetor, 2018

schedule 16:56 - 21 Dhjetor, 2018

Skandali i kompanisë “DH Albania” e cila mundi të përfitojë dy tendera publike me dokumente të falsifikuara, një prej të cilëve një lot i Unazës së Madhe, nuk është një rast i izoluar. ABC News ka siguruar disa të dhëna zyrtare, sipas të cilave në 5 vitet e fundit Agjencia e Prokurimit Publik ka përjashtuar 35 kompani nga garat tenderuese për shkak të dokumentacionit të pavërtetë.

Këto raste nuk i përkasin vetëm ndërtimit të rrugëve, linjave të interkonjeksionit, apo veprave të mëdha publike, por thelbi i përjashtimit nga gara mbetet paraqitja e dokumentacionit të pavërtetë. Sipas të dhënave, në vitet 2013 dhe 2014 janë konstatuar nga 5 raste të tilla. Në vitin 2015 me 4 të tilla. Dy në vitin 2016 dhe shtatë një vit më vonë. Ndërsa në vitin 2018 Agjencia e Prokurimit publik ka përjashtuar nga garat tenderuese 12 operatorë ekonomikë për të njëjtin problem.

Këto shifra shtojnë dyshimet për filtrimin e ligjshmërisë së dokuemtacionit të paraqitur nga kompanitë e ndryshme tregtare që garojnë për prokurimet publike. Ashtu si ndodhi me rastin e kompanisë “DH Albania”, e cila përfitoi një tender nga OST dhe një tjetër nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për ndërtimin e një loti të Unazës së Madhe në vlerën e gati 30 milionë eurove.

Deri më tani, në rrugë diplomtike është vërtetuar se kompania “DH Abania” ka depozituar një akt fals të themelimit të kompanisë mëmë “Dunwel Haberman LTD” në Delaware të SHBA, bilancin ekonomik të tre viteve të fundit, si edhe një letër nga sekretari i shtetit të Delawere. Por burime nga Prokuroria e Tiranës bënë me dije se numri i akteve të falsifikuar dyshohet të jetë shumë më i madh, mes të cilave vërtetime për taksat, licensat, apo aktet e konvertimit të licensave./abcnews.al