Skandali “DH Albania”, Gjykata e Tiranës fletë-arresti administratorit Dobi

schedule14:50 - 23 Janar, 2019

schedule 14:50 - 23 Janar, 2019

Gjykata e Tiranës ka caktuar një masë sigurie “arrest në burg” në mungesë për 26-vjeçarin Avdiol Dobi. Ai është administratori i kompanisë “DH Albania”, e cila fitoi tenderin për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe dhe një linjë tensioni të lartë Burrel-Peshkopi përmes dokumentaciuonit të falsifikuar.

Gjykata e Tiranës ka prerë një fletë-arresti për Avdjol Dobin, administratorin 26-vjeçar të kompanisë “DH Albania”. Kjo kompani po hetohet nga prokuroria, për shkak se mundi të përfitojë dy tendera publikë, me vlerë 30 milionë Euro në total, përmes dokumentacionit të falsifikuar.

Tenderat në fjalë ishin për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe në Tiranë dhe ndërtimin e një linje të tensionit të lartë Burrel-Peshkopi, aktualisht të anuluar. Burime të rezervuara konfirmuan se Gjykata e Tiranës ka caktuar një masë sigurie “arrest në burg” në mungesë për Dobin. Vendimi është marrë në 19 Janar 2019 me kërkesë të prokurorisë, ndërsa i është përcjellë Policisë së Shtetit për të mundësuar ekzekutimin e tij.

Nga nisja e hetimit në Dhjetor të vitit të kaluar, Dobi u thirr tre herë nga Prokuroria e Tiranës për t’u marrë në pyetje, por ai nuk u paraqit. Edhe urdhërimi për shoqërim të detyruar dështoi pasi policia nuk mundi ta gjente atë. Pas këtij momenti i riu u shpall në kërkim policor.

Nga sistemi TIMS rezulton se ai nuk ka dalë nga Shqipëria, të paktën jo me emrin e tij në pikëkalimet  kufitare.  Javën e kaluar Prokuroria mori në pyetje anëtarët e Komisionit të vlerësimit të Ofertave në ARRSH dhe në OST. Pas tyre në pyetje u morën edhe dy drejtuesit e këtyre institucioneve, Afrim Qëndro dhe Klodian Gradeci. Sipas prokurorisë së Tiranës, “DH Albania” ka falsifikuar 4 dokumente  zyrtare të shtetit të Delawerit në SHBA, vend ku është themeluar kompania mëmë “Dunwell Huberman”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!