“S’kam kohë”! Putini nuk do ta varrosë Gorbaçovin, deklarata e bujshme mbi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik

schedule19:59 - 1 Shtator, 2022

schedule 19:59 - 1 Shtator, 2022

Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në funeralin e Mikhail Gorbaçovit, liderit të fundit të Bashkimit Sovjetik. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se agjenda e Putinit ishte shumë e ngjeshur dhe se nuk kishte kohë të merrte pjesë aty.

Ai tha se udhëheqësi rus kishte bërë nderimet e tij në spitalin e Moskës ku Gorbaçovi vdiq të martën në moshën 91-vjeçare.

Reformat e Gorbaçovit ndihmuan për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë, ndërkohë që paraprinë rënien e Bashkimit Sovjetik, për të cilin Putin është shprehur se ishte “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit të 20-të”.

Megjithatë, në telegramin e tij të ngushëllimit për familjen e Gorbaçovit të mërkurën, Putin ishte më i “butë” duke e përshkruar atë si “një politikan dhe burrë shteti që pati një ndikim të madh në rrjedhën e historisë botërore”.

Të enjten, televizioni shtetëror rus tregoi Putinin duke vendosur trëndafila të kuq pranë arkivolit të Gorbaçovit në Spitalin Qendror të Moskës, raporton abcnews.al.

“Fatkeqësisht, orari i punës i presidentit nuk do ta lejojë atë ta bëjë këtë më 3 shtator, kështu që ai vendosi ta bëjë atë sot,” u tha Peskov gazetarëve.

Funerali i Gorbaçovit, i cili do të jetë i hapur për publikun, do të bëhet në Moskë. Më pas, ai do të varroset në varrezat e qytetit Novodevichy, pranë gruas së tij Raisa, e cila vdiq në 1999.

Peskov tha se ceremonia e Gorbaçovit do të kishte “elemente” të një funerali shtetëror dhe se shteti po ndihmonte në organizimin e tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!