Jude Bellingham e ka bërë të qartë se sezonin e ardhshëm do ta vazhdojë te Borussia Dortmund . Talenti anglez nuk do të ndryshojë ambient këtë verë, duke shuar kështu zërat për të ardhmen e tij.
“E vetmja e ardhme për të cilën mendoj është ndeshja e radhës. Unë me të vërtetë pres me padurim sezonin e ardhshëm. Mezi pres që të fillojë, po do të jem këtu sezonin e ardhshëm dhe do të jem gati”, tha ai në një intervistë në Ruhr Nachrichten.
Bellingham dëshiron të vazhdojë të rritet si lojtar në klubin gjerman. “Unë e kam fatin në duart e mia dhe e di që mund të zhvillohem më tej nëse bëj përpjekje. Mendoj se zhvillimi im këtë vit ka nënkuptuar se kam luajtur një rol më të madh në të gjitha ndeshjet. I jam shumë mirënjohës Dortmundit për mënyrën se si e kanë ushqyer talentin tim”.
Për anglezin largimi i Erling Haaland do të ndihet, edhe pse bie në sy ardhja e talenteve të reja. “I thashë se jam shumë i lumtur për të, sepse ai bëri hapin e madh në rrugën e tij si futbollist. Ai është një lojtar i shkëlqyer, një djalë i shkëlqyer, do të më mungojë shumë. Mendoj se City është shumë me fat që ka një lojtar të tillë. Dhe kur bëhet fjalë për ekipin tonë sezonin e ardhshëm, mendoj se do të hapen mundësi të reja”.
Së fundi, Bellingham flet për t’i dhënë fund hegjemonisë së Bayern Munich , i cili ka fituar dhjetë ligat e fundit.
“Në vitet e fundit ne kemi qenë pak larg nga Bayerni . Thyerja e një serie dhjetëvjeçare do të ishte e pabesueshme për Borussia Dortmundin dhe për mua personalisht, dhe kjo është arsyeja pse ne do të sulmojmë përsëri sezonin e ardhshëm. Sepse do të ishte një nga arritjet më të mëdha të Evropës për të mposhtur skuadrën që ka qenë dominuese për kaq shumë kohë. Mendoj se do të ishte vërtet e madhe dhe ky duhet të jetë qëllimi ynë çdo vit”, përfundoi lojtari anglez. /f.a/abcnews.al

