Skadimi i kartave të identitetit, aplikime dhe në fundjavë

schedule15:40 - 12 Janar, 2019

schedule 15:40 - 12 Janar, 2019

Për shkak të fluksit të qytetarëve që duan të rinovojnë kartën e identitetit, zyrat e aplikimit në Tiranë qëndruan në punë edhe gjatë së shtunës. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, tha për ABC News se në ditët në vijim do të ketë një shtim të numrit të zyrave të aplikimit dhe se puna do vijojë përtej orarit zyrtar.

E shtuna i gjeti në punë zyrat e aplikimit për karta identiteti në njësitë bashkiake të Tiranës. Shërbimi për qytetarët edhe në fundjavë u urdhërua nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, për shkak të fluksit të aplikimeve nga qytetarët që u skadojnë kartat e identitetit në periudhën Janar-Qershor 2019.

Bledar Doracaj: “Kemi një fluks në rritje kryesisht në Bashkinë e Tiranës. Për këtë arsye Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe kompania koncesionare punojnë edhe ditë të shtune dhe me orare të zgjatura”.

Por a do të jetë i përballueshëm prodhimi i 1.4 milionë kartave në një periudhë 6 mujore, aq sa është numri i kartave që skadojnë në këtë kohë.

Bledar Doracaj: “Nga komuniku zyrtare që ne kemi më kompaninë koncesionare, kompania ka të gjitha kapacitete për prodhimin e kartave. Ndërsa ne po marrim pasi që t’u ofrojmë kushte sa më të mira qytetarëve, jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Ne do hapin zyra të reja dhe do ofrojmë edhe sportele të reja për ta bërë shërbimin sa më të shpejtë dhe cilësor”.   

Doracaj paralajmëroi se kjo nuk do të jetë fundjava e parë në punë për zyrat e aplikimit për karta ID.

Bledar Doracaj: “Ne do kërkojmë që të mos ketë ditë pushimi dhe do punojmë me orare të zgjatura që qyetarëve të mos u mungojë shërbimi”.

Por në njësinë Administrative nr. 5 qytetarët u përballën me radhën. Në njësinë ku aplikojnë edhe qytetarët e njësisë nr.2 një zonjë është angazhuar vullnetarisht për të mbajtur radhën me një listë. Përmes një njoftimi për mediat Ministria e Brendshme ftoi qytetarët të verifikojnë skadencën e kartës ID dhe të mos e lënë për ditën e fundit të aplikimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!