Alpin Gallo, pjesë e përhershme e emisionit “Pressing në ABC, analizon momentin e Vllaznisë. Ekipi shkodran kryeson me 6 pikë më shumë se Partizani, por në tre takimet e fundit ka marrë vetëm dy pikë. Rreth gjendjes së ekipit të Brdaric flasin edhe Erion Xhafa e Endi Tufa.
GALLO – “Vllaznia shfaqi problematika me Krujën. Vuajnë për të gjetur golin. Kur humbin topin, e kanë të avashtë fazën mbrojtëse, me Krujën por sidomos me Laçin, që ka një sulmues të shpejtë. Duhet të kishte dublazh në mbrojtje.
Laçi doli shpejt në sulm dhe e gjeti të papërgatitur mbrojtjen e Vllaznisë. Kur ka qenë fizikisht mirë, e ka bërë shumë herë mirë këtë gjë ekipi shkodran.Vllaznia ka bërë lojë të bukur, por kur ka qenë ndeshje e hapur.
Kur skuadrat e kanë vlerësuar dhe kanë përfituar nga loja mbrojtëse, atëherë i kanë hapur probleme Vllaznisë. Ekipi ka reaguar pas humbjes, por ka pasur fat me kalendarin pas humbjeve. Ekipet e tjera pretendente i kanë kaluar krizat e tyre. Nuk ka fusha të përshtatshme për stërvitje, kjo ndikon në ritmin e ndeshjeve”.
XHAFA – “Skuadrat e tjera kanë vëmendje të tjera ndaj Vllaznisë, që kryeson nga java e parë. E shoh problemin e Vllaznisë te stoli, forma fizike është në rënie. Asnjë nga lojtarët e ardhur nga merkato e janarit nuk po e ndihmon ekipin. Në merkato duhet të insistonin me dy lojtarë, që duhet t’i shërbenin menjëherë skuadrës”.
TUFA – “Në 4 ndeshjet e fundit, ka ndikuar edhe terreni te Vllaznia. Ndaj Partizanit ishte me fat, e vetmja humbje ishte ajo me Laçin, që i rëndon disi. Vllaznia i ka kaluar pritshmëritë, nuk është ndërtuar për titullin kampion. Janë bërë arnime në merkato. Përpos meritave, Vllaznia ka përfituar edhe nga problemet e ekipeve të tjera. Kjo gjë ka ndikuar në shkëputjen në renditje”. /abcnews.al