“S’ka stërvitje në stadium, ruani fushat!” FSHF kritika klubeve për terrenet e rënduara

schedule18:53 - 28 Dhjetor, 2020

schedule 18:53 - 28 Dhjetor, 2020

Java e 11-të e Kategorisë Superiore ishte më “e lagështa” përsa i përket reshjeve të shiut dhe si pasojë doli në pah cilësia e ulët e shumicës së fushave të stadiumeve tona. Probleme akoma më të mëdha kishte edhe në Kategorinë e Parë.

E gjithë kjo situatë ka ngjallur reagimin e Federatës së Futbollit, e cila me një reagim në faqen e saj i kërkon klubeve të kenë më shumë kujdes për terrenet dhe ndalon kategorikisht stërvitjen e skuadrave në fushën e stadiumit.

POSTIMI Federata Shqiptare të Futbollit paralajmëron klubet e Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë në lidhje me terrenin e fushës në stadiumet ku ato zhvillojnë garën.

Nisur nga problematika e shfaqur në disa fusha javën e fundit të kampionatit, ku terreni u shfaq në gjendje të rënduar, Federata ka reaguar menjëherë dhe u ka kërkuar klubeve që të marrin masa për të ruajtur dhe mirëmbajtur fushat e stadiumeve ku zhvillohen ndeshjet zyrtare.

Pas konstatimit në terren situata në disa nga fushat e stadiumeve nuk garanton standardet e zhvilluara për zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit.

Siç dihet një nga elementët kyç në procesin e licencimit të FSHF për pjesëmarrjen në garat futbollistike është edhe kriteri i infrastrukturës.

FSHF përmes një qarkoreje ka njoftuar të gjitha skuadrat që është e ndaluar të stërviten në fushën e stadiumit, ku edhe zhvillojnë ndeshjen, gjë që ka sjellë më pas rëndim të terrenit.

Federata do të vijojë me inspektimet gjatë muajit janar 2021 dhe në rast se konstatohet ndonjë klub që shkel këtë rregull, do të ketë sanksione nga Komisioni i Disiplinës së FSHF, deri në pikën që skuadrat nuk do të lejohen të luajnë më në atë terren. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!