Pas humbjeve të njëpasnjëshme zgjedhore dhe tkurrjes elektorale, Berisha ka nisur betejën e foltoreve çdo të hënë përpara Kryeministrisë. Analisti Skënder Minxhozi tha për “Real Story” se nuk mund të ketë betejë foltoresh me 200 pjesëmarrës dhe se opozita është në gjendje letargjie.
Më tej, Minxhozi theksoi se problemi i Partisë Demokratike është vetë Berisha dhe zyra e tij.
“Nuk ka betejë foltoresh; nuk është një kafe me 10 veta apo një foltore me 200 veta. Nuk ka marshim në bulevard me 500 veta. Nuk ka aksion opozitar; është komplet vegjetim dhe janë në gjendje letargjie. Fjalët krijojnë një impakt dhe i japin formë diçkaje që nuk është.
Nuk duhet paraqitur situata si një problem burokratik. Problemi është Berisha, sepse kjo parti, me ikjen e Bashës dhe të Sulës, nuk ka fizionomi. Problemi është se duhet të ndryshojë ai, nëse duam të ndryshojmë fizionominë. Të gjithë jemi për rotacionin dhe hapjen, minus një zyrë. Nëse këta persona që pretendojnë të nisin një lëvizje brenda partisë nuk atakojnë problemin, nuk ka ndryshim.
Salianji është ende i vogël; është në kufijtë e një simpatie. Në sytë e demokratëve, ai ka bërë burg politik.” / abcnews.al /

