Ballkani konsiderohet zonë me sizmicitet të lartë, por tërmetet nuk parashikohen. Sizmologët në këtë mënyrë i përgjigjen Presidentit Ilir Meta i cili foli për një tërmet apokaliptik. Ndërkohë specialistët thonë se lëkundjet që u ndjenë në Kretë këtë mëngjes nuk ndikojnë në vendin tonë.
“Shkenca e sizmologjisë nuk ka arritur deri më sot që të parashikojë ngjarje sizmike, qofshin ato të një madhësi të vogël, qoftë edhe të mdhënjes ose siç quhen shkatërrues”.
Këtë përgjigje Përgjegjësi i Departamentit të Sizmologjisë në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit do t’ia kishte dhënë dhe Institucionit të Presidentit të Republikës nëse letra përmes të cilës kreu i shtetit shqetësohej për një tërmet apokaliptik që do të godasë Ballkanin do t’i kishte mbërritur në zyrë.
Presidenti thotë se mori shkas nga një paralajmërim i sizmologut të njohur grek Akis Tselentis, por homologët e tij në vendin tonë tregojnë se institucionet e vendeve fqinje nuk flasin për diçka të tillë.
“Është një çikë e habitshme faktikisht se është një sizmolog i dëgjuar dhe nuk ma merr mendja ta ketë thënë këtë lajm. Varet se në ç’kontekst ai mund ta ketë përdorur. Ne marrim regjistrimet nga stacionet e Greqisë së veriut. Rezulton një lloj aktiviteti normal pa asnjë lloj shqetësimi. Nuk mund të themi që këto stacione kanë treguar një aktivitet sizmik të shtuar edhe pritet se pas këtyre ngjarjeve do të ketë një ngjarje shumë të fuqishme”.
Pavarësisht kësaj një tërmet me mangnitudë 5.3 të shkallës Richter mëngjesin e të mërkurës goditi Kretën. A ka ndikim ai në vendin tonë?
“Një tërmet mesatar, i cili nuk ka asnjë lloj ndikimi në territorin shqiptar, për t’u regjistruar ai regjistrohet, por ndjeshmëria është fare e ulët”.
Megjithatë Ballkanin specialistët e konsiderojnë një rajon me aktivitet sizmik të shtuar. Në Shqipëri brezi me sizmicitet më të lartë është ai Peshkopi-Korçë- Ersekë dhe pjesa perëndimore e vendit. Tërmeti më i fundit në vendin tonë u regjistruar Qershorin e këtij viti në Floq të Korçës, ndërsa më i forti është ai i Prillit 1979 që goditi zonën e Shkodrës. /ABC News Albania A 24/7