Vijon të jetë problematike situata me vatrat akive të zjarrit në vend. më kritike situata raportohet në bashkinë e Finiqit. Zjarri i nisur shtatë ditë më parë në Dhivër ka përfshirë mbrëmë edhe fshatin Leshnicë e Poshtme, ku ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, përfshirë djegien e disa banesave. Për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve, është marrë masa e evakuimit të banorëve.
Këtë të hënë zjarri vijon të përhapet drejt Leshnicës së Sipërme, ndërsa situata mbetet kritike. Autoritetet dhe forcat zjarrfikëse janë në terren, por përballen me vështirësi për shkak të terrenit të thyer dhe erërave që favorizojnë përhapjen e flakëve.
Ministria e Mbrojtjes njofton se forca të reja janë vënë në veprim për të vënë nën kontroll flakët.
Dy helikopterët Black Haëk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe kanë mbërritur këtë të hënë në Bazën Ajrore të Kuçovës për t’u angazhuar në operacionet për fikjen e zjarreve në vend. ekuipazhi arab do të bashkëpunojhë me forcat shqiptare për të përballuar situatën.
Ndërkohë, që prej orëve të para të mëngjesit, avioni kroat Canadair ka nisur të veprojë për izolimin e vatrës së zjarrit në Synej të Rrogozhinës. Po ashtu helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake që operojnë nga Baza e Kuçovës janjë nisur këtë mëngjes drejt Gramshit.
Në lidhje me zjarret, policia ka arrestuar tre persona në Rrogozhinë, i dyshuar si autor për zjarrvënie në fshatrat Peqinaj dhe Zhabjak. Nga hetimet rezultoi se gjatë djegies së mbeturinave në tokat e tyre, zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe me pemë frutore dhe duke shkaktuar djegien e një banese të pabanuar.
Policia apelon për të gjithë qytetarët dhe banorët e zonave rurale që të mos ndezin zjarre për djegien e mbeturinave ose mbetjeve bujqësore, si dhe të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara, për të parandaluar rreziqe të tilla për jetën dhe pronën.

