Situata te Partizani, Demit i propozohet një trajner tjetër

schedule13:05 - 19 Shtator, 2019

schedule 13:05 - 19 Shtator, 2019

Atmosfera nuk mund të përmirësohej thjesht nga një fitore në kupë. Partizani është një klub shumë i madh që gjithçka të ndryshojë pas një suksesi 3-0 në turin e parë ndaj Vorës. Problemi numër 1 te kampionët lidhet me stolin.

Edhe pse klubi e ka mbështetur publikisht dhe pa rezerva trajnerin Franko Lerda, burime pranë drejtuesve pohojnë se këta të fundit nuk janë të kënaqur, madje u është propozuar një emër tjetër.

Kandidatura që i është dhënë presidentit Demi është ajo e Julian Ahmatajt, ish-trajnerit të Luftëtarit sezonin e kaluar, e më parë të Kamzës. Ahmataj është rekomanduar si teknik që ka punuar mirë me skuadrat e tij dhe ka krijuar marrëdhënie të shëndosha me futbollistët.

Çështja e stolit mbetet një pasiguri te kryeqytetasit, të cilët pas largimit të Skënder Gegës diskutuan kandidaturat e Ilir Dajës e të Shpëtim Duros, por morën italianin. Gjithsesi, për momentin Lerda është i palëvizshëm, ndonëse duket se do të rishikojë skemën e tij të preferuar me 3 mbrojtës.

Edhe pse kështu, Partizani po pëson gola, dhe nuk po arrin të shënojë shumë, pavarësisht se ka lojtarë ofensivë të shumtë e të shpejtë si Solomon, Braun, Asani e Çinari. Pak ditë më parë, vetë Ahmataj kritikoi skemën e italianit, në një intervistë për “Abc News”.

Sidoqoftë, problemi tek Partizani nuk duket vetëm trajneri. Burime në klub pohuan se një nga arsyet kryesore të largimit të ish-trajnerit Gega ishte mungesa e autonomisë për të marrë vendime teknike në blerjen e lojtarëve. Kjo tendencë u pohua hapur nga Lerda, që në konferencën e prezantimit. Besohet se mungesa e dakordësisë mes drejtuesve dhe trajnerëve për afrimet në ekip ka dëmtuar cilësinë dhe harmoninë tek Partizani. / ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!