Shumë po flitet për të ardhmen e Lionel Messit, por pak persona e njohin kapitenin e Barcelonës siç e njeh Javier Mascherano. Ish-shoku i tij i ekipit gjatë një interviste për “Tyc Sport”, i doli në mbrojtje “Pleshtit” për sa i përket situatës që u krijua në verën e shkuar si dhe foli për një rikthim të mundshëm të tij në Argjentinë.
“Situata në Barcelonë nuk është e lehtë për momentin, por Leo u përballë me atë ballë për ballë. Kur shikoj ndeshjet e tyre e shof Messin gjithmonë ndryshe nga lojtarët e tjerë. Aftësia që ai ka për të marrë ekipin mbi supe kur gjërat nuk shkojnë mirë e bën atë një sportiest edhe më të madh se sa është,” deklaron argjentinasi.
“Leo e ka shprehur përherë se dëshiron që karrierën e tij ta mbyllë në Argjentinë, edhe pse kjo do të varet nga kushtet e tij fizike dhe mendore. Ai është një djalë shumë inteligjent dhe jam i sigurt se do të marrë vendimin e duhur në momentin e duhur. Është e vështirë të vendosësh veten në vendin e tij, ai është një lojtar i një niveli tjetër.
Maradona? Është një dhimbje e madhe për mua. Ai ishte një person shumë i rëndësishëm në jetën time. Diego më dha shiritin e kapitenit në moshën 24-vjeçare dhe jam shumë i nderuar që ta takoja dhe të punojë me të”, përfundon Mascherano. /abcnews.al