Situata në Veri të Kosovës, Ministri i Jashtëm i Italisë telefonon Kurtin dhe Vuçiçin: Të nxisim dialogun

schedule12:05 - 10 Dhjetor, 2022

schedule 12:05 - 10 Dhjetor, 2022

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, sot ka bërë të ditur se ka telefonuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me zhvillimet në veri.

Tajani ka potencuar se Kurtit dhe Vuçiçit u ka kërkuar që të shmangin veprimet e njëanshme. Ai ka shkruar se tensionet në Veri të Kosovës rrezikojnë stabilitetin e rajonit , derisa ka kërkuar që të nxitet avancimi i dialogut mes dy shteteve.

Lexo edhe: Shpërthimet në Kosovë, si paraqitet situata në veri të vendit

“Tensionet në veri të Kosovës rrezikojnë stabilitetin në rajon. I telefonova presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti, duke iu kërkuar që të shmangin veprimet e njëanshme. Italia dëshiron të jetë protagoniste e paqes në Ballkan. Le të nxisim dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. ”, ka shkruar Tajani në Twitter.

Që nga e enjtja në mbrëmje në komunat veriore kanë ndodhur disa shpërthime të shok-bombave e të shtëna me armë zjarri, me këtë rast, janë shtuar patrullimet dhe prezenca policore.

Po të enjten në mbrëmje, nga grupet serbësh në atë pjesë të vendit është sulmuar një patrullë policore, ku ka mbetur i lënduar një polic i Kosovës. Persona me maska kanë sulmuar edhe gazetarët.

Zgjedhjet për kryetarë të komunave veriore janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor, ndërsa ato për kuvende komunale më 25 dhjetor. E para disa ditëve, derisa zyrtarët e KQZ-së bashkë me zyrtarë policorë janë penguar që të hyjnë në ambientet e KKZ-ve në komunat veriore./Express/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!