Situata në veri, kërkohet ndryshim i qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë

schedule13:00 - 7 Gusht, 2023

schedule 13:00 - 7 Gusht, 2023

Politikanë evropianë e amerikanë kërkojnë ndryshim qasjeje ndaj Kosovës e Serbisë dhe jo anime ndaj një pale. Të punohet për një diplomaci parandaluese që shmang përshkallëzimin kërkon deputetja britanike, Alicia Kearns.

Kosova nuk do të ndërmarrë veprime që shkallëzojnë situatën

Pas masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, qeveria e Kosovës është pajtuar me planin e BE-së për shtensionimin e situatës në veri, që ndër më kryesoret parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në atë pjesë. Qeveria e Kosovës ka deklaruar  publikisht “gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës”. Po ashtu kjo përfshin edhe një zvogëlim të menjëhershëm me 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. “Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore, pas verës” dhe se “Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve në veri”. E pikërisht për zgjedhjet në veri të cilat u bojkotuan masivisht nga serbët lokal, në letrën e politikanëve evropian dhe amerikanë, thuhet se “Kosova është shtet i pavarur dhe përpjekjet për të penguar zgjedhjet demokratike në Kosovë nga Serbia, duhet të kritikohen publikisht si ndërhyrje nga jashtë”.

Ndërkohë qeveria e Kosovës ka nisur punën për sigurimin e bazës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, Zveҫan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Veri të Mitrovicës. Në këtë mënyrë sipas ministrit të pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, grupi punues ka një muaj kohë për të hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave në veri  shkarkimin e kryetarëve aktualë përmes një peticioni të qytetarëve të regjistruar me të drejtë vote në komunat përkatëse./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!