Rajoni i Kaukazit mban sërish erë baruti me një raund të ri armiqësish midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, të cilat luftuan për herë të fundit tre vjet më parë.
Azerbajxhani ka nisur ato që i quan operacione “anti-terroriste” në zonat e Nagorno-Karabakut nën kontrollin armen, duke kërcënuar se do t’i vazhdojë ato “deri në fund”.
Baku e ka bërë të qartë se ofensiva do të ndalet vetëm me dorëzim.
“Formacionet ilegale ushtarake armene duhet të dorëzojnë të gjitha armët e tyre dhe të shpërndajnë regjimin e paligjshëm”, tha presidenca e Azerbajxhanit në një deklaratë.
Azerbajxhani dhe Armenia luftuan për herë të parë në fillim të viteve 1990 pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Më pas, në vitin 2020 Azerbajxhani rimori zonat në dhe përreth Nagorno-Karabakh përpara se të binte dakord për një armëpushim të monitoruar nga paqeruajtësit rusë.
Armenët etnikë në Karabakh bënë thirrje të martën për një armëpushim dhe fillimin e bisedimeve. Megjithatë, nga ultimatumi i Azerbajxhanit ishte e qartë se qëllimi i Bakut ishte të përfundonte pushtimin e enklavës malore.
Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, nga ana e tij, akuzoi Azerbajxhanin për nisjen e një operacioni tokësor që synon spastrimin etnik.