Lumi Drin vijon të jetë i fryrë, por për fat të mirë që dje niveli i ujit ka filluar të ketë rënie. Duke raportuar nga Lezha, gazetari Gjergj Figuri, në një lidhje me “ABC e Mëngjesit” tha se kështu është shmangur përmbytja në fushën e Zadrimës dhe në Lezhë.
Megjithatë, ai shtoi se fushat nuk shpëtuan dot nga Gjadri dhe kanalet e ujërave të larta, ndërsa shtoi se deri më tani, rezultojnë të përmbytura 3,800 hektarë tokë.
Sa i përket banesave, ato nuk janë përmbytur në shkallë të madhe, ndërsa prezencë të ujit ka në pak banesa. Po ashtu, gazetari theksoi se në Lezhë, problematikë është edhe rrëshqitja e dheut.
“Ka rrëshqitje dheu, janë evakuuar shumë familje, në Lezhë dhe shumë fshatra. Ka një zgjerim të hartës. Lezha ndërhyri, por nuk mund të ketë një ndërhyrje aq efikase. Mungojnë mjetet..”
Ndërsa, sa i përket situatës sot, rënie të nivelit të ujit ka, por ka prurje në Fushën e Zadrimës. Kjo ndodh sipas gazetarit, nga shkarkimet që vijnë nga hidrocentralet, që kanë ndikim në fushën e Lezhës. s.b/abcnews.al/

