Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili vijon me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama se është informua që me datën 5 gusht për vendimet e marra nga qeveria greke për kalimin e qytetarëve në pikat kufitare, por nuk mori masa duke lënë mijëra shqiptarë në mëshirë të fatit.
Vasili në një deklaratë për mediat ka thënë se kryeministri Rama ndodhet përballë një akuze shumë të rëndë dhe se duhet të merret nën hetim pa humbur kohë nga Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë.
Ai tha se duhet të “zbardhet një më një dhe të çohet deri në fund çdo përgjegjësi penale që rëndon mbi kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Edi Rama, se përse nuk i informoi qytetarët me të gjitha mjetet e komunikimit shtetëror dhe privat, për vendimin e qeverisë greke.”
Dekarata e plotë:
Ky informacion, ky njoftim me shkrim për vendimin që në datën 4 gusht të qeverisë greke, menjëherë në datën 5 gusht i njoftuar qeverisë shqiptare, kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Edi Rama lidhur me këto rregulla, ku Ambasada shqiptare dhe ambasadorja Hobdari ka njoftuar saktësisht se cilat ishin rregullat e reja dhe natyrshëm masat që Shqipëria duhet të merrte për to.
Kryeministri dhe ministri i Jashtëm Edi Rama është sot pas këtij fakti shumë shumë të rëndë nën një akuzë, jo vetëm penale, por një akuzë nga mijëra shqiptarë sepse ai nuk lëvizi gishtin që të informonte, të merrte masa, të parandalonte situatën shumë të rëndë që realisht ndodhi dhe që realisht u ekspozuan mijëra qytetarë shqiptarë, gra, burra, fëmijë dhe të moshuar.
Sot, Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë duhet të marrë nën hetim kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Edi Rama në mënyrë të menjëhershme dhe pa humbur më kohë, siç ka humbur deri më tani,
Sepse së pari duhet të zbardhet një më një dhe të çohet deri në fund çdo përgjegjësi penale që rëndon mbi kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Edi Rama, se përse nuk i informoi qytetarët me të gjitha mjetet e komunikimit shtetëror dhe privat, për vendimin e qeverisë greke.
Përse nuk ngriti asnjë strukturë, shtetërore për të menaxhuar e parandaluar situatën?
Përse nuk bëri publik dhe nuk mobilizoi të gjithë kapacitetet shtetërore e private laboratorike për bërjen e testimeve që u kërkoheshin në mënyrë të detyruar nga qeveria greke për të gjithë qytetarët shqiptarë që do të ktheheshin për në Greqi.
Të zbardhet nga Prokuroria e Posaçme, përgjegjësia e kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm lidhur me pjesën shumë të rëndës dhe delikate të rrezikimit të jetës dhe shëndetit që ndodhi për shkak të kësaj ngjarje të paralajmëruar me kohë dhe zyrtarisht.
Prokuroria Speciale ka detyrim shumë të fortë të pakapërcyeshëm ndaj ligjit, por edhe në pikëpamje njerëzore në raport me shqiptarët, që të veprojë menjëherë pasi mosveprimet e Edi Ramës kanë prodhuar pasoja të rënda mbi qytetarët. Veprimet e kryeministrit, ndërsa drama humanitare po konsumohej, ishin veprimet e një njeriu që e urren popullin e vet. Sepse, e para nuk e lëvizi gishtin për të bërë asgjë edhe nuk prishi qetësinë e çadrës së tij të plazhit në Dhërmi, Jalë e gjetkë, e dyta që është më e ligë dhe më e poshtër, u përpoq të fajësonte shqiptarët për atë që ishte faji vetëm i tij.
Për të gjithë është shumë e qartë, fajtori vetëm në këtë dramë që shqiptarët provuan është vetëm Edi Rama, kryeministër dhe ministër i Jashtëm në detyrë. Fajtor është papërgjegjshmëria dhe dashakeqësia e Edi Ramës dhe nuk janë absolutisht, në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë njerëzit e thjeshtë që deshën të ktheheshin në shtëpitë dhe punët e tyre, me ato punë që i mbajnë me djersë dhe me gjak, e ku mbajnë familjet e tyre dhe mos të harrojmë kurrë që mbajnë prej 30 vitesh mijëra e mijëra të afërm që jetojnë dhe mbahen në këmbë falë atyre parave që këta qytetarë fitojnë në Greqi me djersën e tyre dhe në këtë mënyrë shuajnë urinë dhe sigurojnë mbijetesën që duhet t’jua sigurojë ky kryeministër dhe ministër i Jashtëm njëherazi.
Fajin, është shumë e qartë që e ka vetëm Edi Rama. Nuk është një faj e pati as ambasada shqiptare në Athinë që e ka kryer si duhet detyrën e saj, as qeveria greke, të cilët informuan në kohë, 2 javë përpara për rregullat e reja që ajo impononte për të mbrojtur vendin e saj nga pandemia. Por fajtori i vetëm është Edi Rama, i njoftuar qartësisht, me shkrim, zyrtarisht dhe për pasojë la të gjithë shqiptarët në mëshirë të fatit dhe të fatkeqësisë që po u trokiste te dera për dramën humanitare.
Sot SPAK është përpara shqiptarëve dhe ka vetëm një zgjedhje, ose të vendoset në krah të ligjit për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë ose më e keqja, më e shëmtuara, më e rënda për sot dhe të ardhmen është që të vendoset në krah të Edi Ramës, të mbrojë shpërdorimin e detyrës së tij e të vendoset përballë kundra gjithë shqiptarëve, interesave të tyre, jetës së tyre, shëndetit të tyre dhe integritetit të tyre.
Asnjë shqiptar nuk do ta harrojë kurrë atë që ndodhi në ditët e përvëluara të gushtit dhe qëndrimin e lig e mizor të Edi Ramës dhe sigurisht kërkimi i përgjegjësisë ka për të qenë një çështje që kurrë nuk do të harrohet dhe sado që të përpiqen për ta vonuar prokuroritë e kapura apo mekanizmat politike, Edi Rama për këtë ngjarje do të japë llogari deri në fund dhe do të dalë përpara përgjegjësisë nga fillimi deri në fund. Të mos harrojmë që akuza e këtij dokumenti është një akuzë e pakapërcyeshme për sot dhe për mot./abcnews.al