Milan pritet të luajë sonte në mbrëmje kundër Genoas dhe të besuarit e Stefano Piolit do të shpresojnë të rikthehen tek fitorja. Në këtë sfidë sërish nuk do të luajë Zlatan Ibrahimovic, edhe pse ky i fundit ka marrë pjesë në seancat stërvitore.
Sipas raportimit të “La Gazzetta dello Sport”, 39-vjeçari do të vazhdojë stërvitjen individuale dhe do të jetë i gatshëm për kuqezinjtë në transfertën kundër Sassuolos në fundjavë.
Ndërkohë nga ana tjetër është konfirmuar dëmtimi i mbrojtësit Matteo Gabbia. Italiani u dëmtua kundër Parmës dhe pas testeve të kryera do të qëndrojë jashtë fushave për afro gjashtë javë. Gjithashtu, Pioli nuk do të ketë të gatshëm për përballjen e sotshme as Simon Kjaer, i cili vazhdon të jetë i dëmtuar.
Përpos situatës në ekip, drejtuesit e klubit mendojnë edhe për të ardhmen. Ata po punojnë për rinovimin e kontratës së Davide Calabrias, i cili është në kontratë me “Djallin” deri në verën e vitit 2022. Sipas raportimit të “Calciomercato.com”, paraqitjet e mira të lojtarit kanë bindur drejtuesit dhe ata do t’i ofrojnë atij një kontratë të re që përfundon në qershor të vitit 2024. /abcnews.al