Situata e tensionuar në veri të Kosovës, shtyhen zgjedhjet

schedule16:11 - 10 Dhjetor, 2022

schedule 16:11 - 10 Dhjetor, 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se janë shtyrë zgjedhjet në veri për në  prill të vitit 2023.

Ajo tha kështu pas një takimi që pati me përfaqësuesit e partive politike.

Osmani tha se për këtë vendim ka pasur konsensus të plotë mes partive politike dhe se është marrë parasysh edhe raporti i dërguar dje në Presidencë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, tha ajo një konferencë për media pas takimit.

Ajo ka shtuar se kishte kontaktuar Bashkimin Evropian për t’i kërkuar mbështetje për mbikëqyrjen e zgjedhjeve në veri, por thotë se BE-ja i kishte bërë të ditur se për shkak të afatit të shkurtër kohor, nuk do të kishin mundësi të marrin pjesë.

“Deri tani asnjë organizatë vendore nuk është regjistruar po ashtu. Pra, këto zgjedhje do të ishin pa vëzhgim ndërkombëtar apo edhe vendor”, shtoi Osmani.

Data e saktë se kur do të mbahen zgjedhjet do të bëhet e ditur “sonte, më së largu nesër në mëngjes”, tha Osmani, duke shtuar se duhet të kontrollohet që data të mos korrespondojë me ndonjë festë zyrtare.

Në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – ishin planifikuar të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor.

Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve lokale./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!