Të vdekur, të plagosur dhe shumë shqiptarë në mes të katër rrugëve. Natyra dënon vendin tonë me një tërmet që ka lënë pasoja. Gjithsesi, shqiptarët të bashkuar mundohen ta përballojnë këtë situatë. Në ndihmë kanë ardhur edhe nga Kosova, ndërkohë që dy grupime tifozësh kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në kalimin e kësaj situate të vështirë.
“Janë momente të rënda, momente ku të gjithë duhet të shtrëngohemi fort para dhimbjes, ta përballojmë atë dhe ta duam më fort njëri-tjetrin! Duke shprehur dëshpërimin e madh për viktimat, i bashkohemi dhimbjes së familjarëve dhe lutemi që numri i tyre të ndalet këtu!
Kërkojmë nga autoritet kompetente ngritjen e strukturave vullnetare. Ne si grupim jemi te gatshëm të japim kontributin tonë modest në këtë situatë. I kërkojmë të gjithë tifozërisë sonë të madhe, e jo vetëm asaj, që të ndihmojnë me të gjitha format dhe mënyrat sipas mundësisë që kanë. Është koha ku duhet të jemi bashkë kundër fatkeqësisë!”, shkruajnë Guerrils, ultrasit e Partizanit.
Më parë edhe Tifozat Kuqezi dolën me një deklaratë: “Pas tërmeteve të fundit, Tifozat Kuq e Zi janë mobilizuar, dhe kanë ngritur një fond emergjent për ndihmë, vatrave të prekura. Ju njoftojmë se kemi filluar grumbullimin e mjeteve për zonat e dëmtuara. Për të kontribuar edhe ti, ju lutem kontaktoni përfaqësuesin më të afërt www.tifozatkuqezi.com/perfaqesuesit.
Gjithashtu, Tifozat Kuq e Zi, shprehin gatishmëri që të japin ndihmën e tyre vullnetare, qoftë si pjesë e ushtrisë, kryqit të kuq, apo organizatave të tjera simotra që ndihmojnë njerëzit në nevojë”.
PLISAT – “Tash është koha që të veprojmë. Ju bëjmë thirrje të gjithë Plisave dhe qytetarëve të Prishtinës që të bashkangjiten në aksionin tonë për t’i ndihmuar të prekurit nga tragjedia në Shqipëri. Plisat po grumbullojnë ushqim dhe veshmbathje për familjet në nevojë dhe të njejtat do të nisen sot në ora 15:00 për në Shqipëri. Ju ftojmë të gjithëve që të na bashkangjiteni duke sjellur ushqim, batanije e veshmbathje, aq sa keni mundësi.
Pika e grumbullimit është në Fun Club Plisat, në sheshin Zahir Pajaziti. Një ndihmë e vogël nga ti këtu, është tepër e madhe për një shqiptar atje. Jemi të njejtë, jemi të bashkuar, jemi të goditur të gjithë, prandaj të veprojmë së bashku!”, shkruajnë ultrasit e Prishtinës./abcnews.al