TIRANË- Bizneset dhe qytetarët do të mund të kryejnë transaksionet e para në Sistemin Europian të Pagesave në tetor të këtij viti.
Guvernatori Gent Sejko tha se ulja e komisioneve do t’i sjellë një sërë përfitimesh ekonomisë shqiptare dhe vetëm vitin e parë të aplikimit kursimet do jenë rreth 20 milionë euro.
Kreu i Bankës Qendrore theksoi se pagesat elektronike për frymë kanë arritur në 23 nga 2 të tilla që ishin një dekadë më parë.
Eksperti i ekonomisë Adrian Civici, i ftuar në “Money Report” në ABC News u shpreh se hyrja në SEPA ka shumë avantazhe për vendin dhe për qytetarët dhe kjo do të vihet re në disa aspekte.
“Është shumë e rëndësishme. Numri i vendeve anëtare është 36, janë të gjithë vendet e Bashkimit Evropian, janë disa vende të zonës evropiane, përfshirë dhe Britania e Madhe dhe i bashkohet edhe Shqipëria dhe Mali i Zi. SEPA ka shpejtësinë, së dyti ka sigurinë, ka pagesa më të ulëta për këto transaksione që bëhen. Eurozona është partneri ynë kryesor me rreth 70% të vëllimit dhe shkëmbimeve tregtare që kemi dhe një pjesë madhe e emigracionit është në zonën evropiane dhe investimet e huaja i bëjnë pagesat dhe transfertat nëpërmjet këtij sistemi. Janë 5-6 elementë të rëndësishëm dhe garantues për pjesëmarrësit”, theksoi ai.
Ai mori një shembull për të kuptuar përfitimet reale që kanë qytetarët apo bizneset nga sistemi SEPA.
“Në 100 mijë euro transaksion, me sistemin aktual, ai duhet të paguajë deri në 1 mijë euro komision. Hyrja në SEPA, këtë e ul me 8-10 herë dhe duhet të paguar rreth 100-120 euro për këtë transaksion. Ky është një proces që sapo ka filluar dhe para nesh janë një sërë sfidash, që mund të konsiderohet si rrugë e gjatë dhe shumë intensive”, tha ai./abcnews.al