“S’ishte e nevojshme një dekadë e tretë lufte”, Biden pritet t’u drejtohet amerikanëve për situatën në Afganistan

schedule19:46 - 16 Gusht, 2021

schedule 19:46 - 16 Gusht, 2021

Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur tashmë në Shtëpinë e Bardhe dhe pritet që t’i drejtohet vendit në lidhje me situatën në Afganistan. Në Shtëpinë e Bardhë kanë nisur përgatitjen dhe pritet që ai t’u drejtohet amerikanëve rreth orës 21.45 nga Dhoma Lindore.

Ndërkohë, Këshilltar amerikan i Sigurisë Kombëtare është shprehur për mediat se qëndrimi në Afganistan ishte tashmë i padobishëm pasi ushtria afgane nuk po luftonte.

“Presidenti Biden nuk ishte gati që të niste një dekadë të tretë lufte dhe të fuste trupat amerikanë në rrezik, duke luftuar dhe duke vdekur në përpjekje për të mbajtur në kontroll situatën në Afganistan, ndërsa ushtria e vet nuk po e bënte,” është shprehur për CBS, Jake Sullivan.

Ndërkohë, kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur se Gjermania duhet të evakuojë urgjentisht deri në 10.000 njerëz nga Afganistani. Raportohet se Merkel i ka paralajmëruar kolegët e partisë se pasojat e konfliktit do të zgjasin për një kohë shumë të gjatë.

Vërejtjet, të bëra në një takim me dyer të mbyllura të partisë së saj Demokristiane të hënën dhe të transmetuara nga pjesëmarrësit në takim, pasqyrojnë shqetësimin në rritje për situatën në Afganistan pasi talebanët morën kryeqytetin dhe shpallën paqen.

“Ne jemi dëshmitarë të kohëve të vështira,” tha Merkel. “Tani duhet të përqendrohemi në misionin e shpëtimit.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!