Siriani azilant që ëndërron të luajë me Tiranën ose Partizanin

schedule16:30 - 19 Qershor, 2018

schedule 16:30 - 19 Qershor, 2018

Jo çdo emigrant që mbërrin në Shqipëri do të largohet prej saj. Për disa, Shqipëria është toka e premtuar. ABC News ishte në qendrën e azilkërkuesve, ku takoi një futbollist 23-vjeçar nga Siria, që ka ëndërr të luajë për Tiranën apo Partizanin.

I tillë është Taha Bomazin. 23-vjeçarit sirian i është pranuar kërkesa për azil në Shqipëri. Ai është futbollist dhe ëndërron të luajë në një skuadër shqiptare.

Përse keni ardhur në Shqipëri?

“Jam shumë i lumtur që erdha këtu. Kisha shumë probleme në Siri. Babai im është sirian dhe nëna marokene, por unë nuk mund të jetoja as në Siri e as në Marok. Erdha këtu për një jetë të re. Unë nuk dua të iki në Gjermani apo Francë. Une do rri në Shqipëri. Kam shtatë muaj këtu dhe falë Zotit kërkesa për azil m’u pranua. Shqipëria është vend i mirë. Nuk ka racizëm dhe ka njerëz të mirë. Unë jam futbollist dhe mbase këtu do të realizoj ëndrrën time”.

A po përpiqeni për realizimin e saj?

“Në këtë moment është pak e vështirë. Unë i kam dërguar e-mail KF  Tiranës, Partizanit dhe skuadrave të tjera, por deri tani nuk kam marrë përgjigje”.

21-vjeçari është futur në Shqipëri nga kufiri i gjelbër me Greqinë, pas 10 ditësh ecje në këmbë.

Mendon të ndërtosh familjen tënde këtu?

“Do Zoti. Unë po shoh të qëndroj këtu përfundimisht”.

Mohamed Irfan është nga Pakistani. Ka mbërritur në Shqipëri përmes kufirit shqiptaro-grek.

Keni kaluar përmes kufirit të gjelbër?

“Po, kufiri i gjelbër në Kakavijë”.

Ku ndodhet familja juaj?

“Familja ime është në Pakistan, Kashmir. Ka shumë probleme në Pakistan. Unë nuk kisha punë në Pakistan. Shqipëria ka njerëz të mirë, por është vend i varfër. Do të iki në Itali”.

Edhe Alihasan është pakistanez. Ai ka lënë gjashtë anëtarët e familjes në vendin e tij me dëshirën për të shkuar në Francë.

Sa keni paguar për të ardhur në Shqipëri?

“Unë kam paguar 2500 euro. Kam udhëtuar nga Pakistani në Iran. Pastaj në Turqi dhe Greqi. Nga Greqia në Shqipëri nuk kam paguar, pasi kemi kaluar kufirin në këmbë. Ecëm tre ditë”.

Siriani Mohamed nuk flet anglisht, por për të komunikuar me të na ndihmon miku i tij.

“Kam paguar 1500 euro për të udhëtuar në mënyrë klandestine nga Siria në Shqipëri. U largova nga Siria, pasi atje nuk ka më asgjë. Siria ka mbaruar. Nuk kam asnjë vend, ku mund të fle në atë vend”.

Burime pranë Ministrisë së Brendshme bënë me dije se në qendrën pritëse në Babrru aktualisht janë strehuar rreth 180 emigrantë nga Iraku, Siria, Afganistani e Pakistani. Totali i emigrantëve të futur në Shqipëri nga 1 Janari i vitit 2018 është 2300./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!