Siria, Trump: Vendim të rëndësishëm brenda 48 orëve

schedule22:23 - 9 Prill, 2018

schedule 22:23 - 9 Prill, 2018

Një ditë pas sulmit me armë kimike në Duma, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar marrjen e një vendimi të rëndësishëm për Sirinë në orët e ardhshme. Ndërkohë, Moska ka hedhur poshtë akuzat.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të hënën se në 24 ose 48 orët e ardhshme administrata e tij do të marrë një vendim të rëndësishëm në lidhje me Sirinë.

Teksa ka drejtuar një mbledhje të kabinetit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka bërë me dije se pas “sulmit të urryer” ndaj civilëve të pafajshëm në Siri po konsultohet me krerët ushtarake dhe se nuk përjashton asnjë opsion.

Pak më herët, sekretari i Mbrojtjes, Jammes Mattis deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk e përjashtojnë ndërmarrjen e një aksioni ushtarak në Siri.

“Gjëja e parë që duhet të analizojmë është përse përdoren ende armët kimike, në një kohë kur Rusia doli garant se i kishte hequr ato”, deklaroi Mattis gjatë një takimi të zhvilluar në Pentagon me sheikun e Katarit.

Ai shtoi se Uashingtoni po konsultohet me aleatët dhe partnerët e tij në NATO për t’i dhënë një zgjidhje kësaj çështjeje. Ndërkohë, Rusia ka mohuar që në Duma të Sirisë të jetë përdorur një ditë më parë armë kimike.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov ka deklaruar se ekspertët ushtarakë rusë nuk kanë gjetur gjurmë klorini apo të substancave të tjera kimike në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, Moska dhe Damasku zyrtar u janë përgjigjur akuzave duke ia atribuuar përgjegjësinë Izraelit, vend që kryen rregullisht aksione ushtarake në Siri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!