Siri, vijon shkelja e armëpushimit në Gutën Lindore

schedule15:23 - 6 Mars, 2018

schedule 15:23 - 6 Mars, 2018

80 civilë kanë humbur jetën në Gutën Lindore të Sirisë për shkak të bombardimeve të fundit nga ushtria pro Assad. Ndërkohë, në këtë rajon ka mbërritur dërgesa e parë e ndihmave humanitare.

Të paktën 80 civilë janë vrarë në bombardimet e fundit të ushtrisë që mbështet presidentin sirian Bashar al-Assad në Gutën Lindore, në afërsi të Damaskut. Kjo është konfirmuar nga Observatori kombëtar për të drejtat e njeriut në Siri, duke theksuar se nga sulmet ajrore mbetën të plagosur mbi 300 persona. Organizata humanitare, me bazë në Londër, nënvizon se bëhet fjalë për ditën më të përgjakshme në enklavën e kontrolluar nga rebelët që prej aprovimit me 24 shkurt të rezolutës së OKB-së që kërkon një armëpushim humanitar prej 30 ditësh në të gjithë vendin.

Në Gutën Lindore ka mbërritur një dërgesë humanitare e organizuar nga disa agjenci të OKB-së dhe organizatave të tjera humanitare. Ky zhvillim erdhi pasi autokolona mori lejen e nevojshme të autoriteteve qeveritare. Kjo është konfirmuar nga zyra për punët humanitare të Kombeve të Bashkuara.

Një operator i komisariatit të lartë të OKB-së për refugjatët UNCHR, që gjendet në terren, bën me dije me anë të një mesazhi se dërgesa është e përbërë nga 46 kamionë që transportojnë furnizime shëndetësore dhe ushqime. Këto ndihma duhet t’iu shpërndahen 27500 personave nga 400 mijë që vlerësohet se gjendet në rajonin e sulmuar dhe të cilët vuajnë nga mungesa e ushqimit dhe përkujdesit mjekësor. /abcnews.al