Ushtria që mbështet presidentin sirian, Bashar Al-Assad e ndihmuar dhe nga Rusia vazhdon ofensivën në Idlib. Për shkak të luftimeve mbi 100 mijë persona kanë ikur nga kjo zonë.
Forcat e Damaskut dhe ushtritë e tyre aleate kanë filluar një ofensivë në zonën e Idlib, në veri-perëndim, më e madhja në Siri që gjendet ende në duart e rebelëve anti-qeveritarë, pas shpalljes së mposhtjes së ISIS. Sipas mediave ndërkombëtare, mijëra civilë po arratisen drejt veriut të vendit dhe drejt kufirit me Turrqinë, ndërsa temperaturat janë shumë të ftohta. Sipas Gjysëmhënës së Kuqe në këtë valë ikjesh janë përfshirë të paktën 100 mijë persona.
Javën e kaluar, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov njoftoi për fillimin e operacionit. Rreziqet për popullatën civile janë një shqetësim i veçantë. Zona është e banuar nga 2 milionë sirianë, të cilës i janë shtuar edhe të zhvendosurit nga pjesët e tjera të vendit.
Në dy muajt e fundit, trupat e regjimit Sirian të presidentit Bashar al-Assad të mbështetura nga bombardimet ajrore ruse kanë marrë kontrollin në më shumë se 80 fshatra dhe qyteza në këtë rajon. Ofensiva është bërë veçanërisht e përgjakshme që nga dita e Krishtlindjes, kur komanda e operacioneve është marrë nga gjenerali Suheil al-Hassan, i cili mban nofkën “Tiger”, që konsiderohet si shumë i ashpër në betejën ndaj forcave rebele dhe arkitekti i humbjes së ISIS në Deir el Zor. Sipas Observatorit të të Drejtave të Njeriut që nga 25 dhjetori, 43 civilë, 57 rebelë dhe 46 ushtarë janë vrarë./abcnews.al