Siri, përsëri viktima dhe të plagosur në Gutën Lindore

schedule13:33 - 22 Shkurt, 2018

schedule 13:33 - 22 Shkurt, 2018

Vijojnë bombardimet e ushtrisë siriane të Assad në Gutën Lindore. 13 persona kanë humbur jetën dhe mbi 100 të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore. Ndërkohë, Rusia ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë në OKB për të diskutuar lidhur me situatën e rëndë.

13 viktima të tjera dhe mbi 100 të plagosur janë regjistruar të enjten në bombardimet e ushtrisë siriane në Gutën Lindore, në afërsi të Damaskut, zonë e cila gjendet nën kontrollin e rebelëve. Kjo është konfirmuar nga aktivistë të shumtë të Observatorit sirian për të drejtat e njeriut. Rreth 200 bomba janë lëshuar në zonë nga sulmet ajrore të kryera nga forcat e sigurisë që mbështesin presidentin Bashar al-Assad. Bombardimet e fundit kanë shkatërruar edhe një ndërtesë të Gjysëmhënës së Kuqe dhe sipas dëshmitarëve, “ambulancat nuk mund të lëvizin drejt të plagosurve”. Që prej së dielës, mbi 270 viktima janë regjistruar në Gutën Lindore, ndërsa mijëra të tjerë janë plagosur.

Vassily Nebenzia, ambasador i Rusisë në Pallatin e Qelqtë, ka propozuar mbajtjen e një mbledhje të Këshillit të Sigurisë për të diskutuar situatën siriane. Gjatë mbrëmjes të së enjtes do të votohet edhe mbi një project-rezolutë që kërkon një armëpushim prej 30-ditësh, në mënyrë që të lejohet shpërndarja e ndihmave humanitare dhe të ndërmerren evakuimet mjekësore.

Suedia dhe Kuvajti, që kanë përpiluar dokumentin, kanë kërkuar një votim sa më shpejt të jetë e mundur. Lidhur me këtë është është shprehur dhe ministri Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, gjatë vizitës në Serbi.

Sergej Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë: “Jemi të gatshëm të shqyrtojmë rezolutën që na ofrohet për ta miratuar. Armëpushimi nuk guxon të jetë kundrejt DAESH apo ISIS apo Al Nusra dhe grupeve që bashkëpunojnë me ta dhe janë duke granatuar Damaskun. Kemi frikë se kjo rezolutë është megjithatë një ide që Damasku të akuzohet për të gjitha dhe të futet plani B për të shfuqizuar rezolutën 2254, e cila parasheh që vet sirianët të vendosin për fatin e tyre”.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka përkufizuar situatën në Gutën Lindore si një “ferr në tokë”./abcnews/a;

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!