Siri/ Erdogan: Ushtria turke ka marrë kontrollin e Afrin

schedule12:40 - 18 Mars, 2018

schedule 12:40 - 18 Mars, 2018

Ushtria turke ka marrë kontrollin e plotë të qëndrës së qytetit Afrin në Siri. Kjo është konfirmuar nga presidenti, Rexhep Tajip Erdogan. Kreu i shtetit turk njoftoi se ofensiva do të vazhdojë.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka njoftuar që forcat siriane aleate të Ankarasë kanë marrë kontrollin e qendrës së qytetit Afrin dhe se ka dëbuar luftëtarët kurdë. Që prej 20 Janarit, në këtë enklavë kurde në veri të Sirisë, po zhvillohet operacioni i quajtuar “Dega e Ullirit”, i nisur nga Turqia kundër milicive të Unitetit të Mbrojtjes së Popullit, forcë aleate e Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, këta luftëtarë konsiderohen terroristë nga Ankaraja.

“Tashmë në qendrën e qytetit të Afrinit valëviten simbolet e qetësisë dhe sigurisë dhe jo leckat e organizatës terroriste. Aktualisht atje valëviten flamujtë turq dhe të Ushtrisë së Lirë Siriane”, tha presidenti Erdogan.

Ndërkohë, më herët, atoritetet turke dhe aleatët e tyre, rebelët, kanë bërë me dije se kanë marrë kontrollin e disa lagjeve të qytetit. Hyrja në enklavën kurde është zhvilluar përmes dy ofensivave të përbashkëta nga zona lindore dhe perëndimore.

Ofensiva turke në Afrin do të vijojë akoma. Raportohet se luftimet kanë detyruar eksodin e të paktën 150 mijë civilëve. Sipas Observatorit Kombëtar për të Drejtat e Njeriut, ushtria turke ka goditur spitalin kryesor të qytetit, duke vrarë të paktën 10 persona, mes të cilëve 2 gra shtatëzëna. Por Ankaraja ka mohuar këtë akuzë, duke thënë se shënjestra e tyre e vetme janë luftëtarët kurdë dhe jo civilët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!