Dhjetëra mijëra civilë sirianë, të zhvendosur në shkretëtirë për t’i shpëtuar luftës, kanë marrë ndihmat e para humanitare që nga fillimi i vitit.
Autokolona me ndihma e dërguar nga OKB mbërriti të shtunën në kampin ku strehohen 50 mijë civilë sirianë të zhvendosur për shkak të luftës. Bëhet fjalë për kampin Rukban, i ngritur në zonën e shkretëtirës në kufirin siriano-jordanez, ku aktivistët nisën shpërndarjen e ndihmave për herë të parë që prej muajit janar. Në pjesën siriane, aksesi për në kamp kontrollohet nga ushtria e presidentit Bashar al Assad; ndërsa në anën jordaneze aksesi është i mbyllur dhe kalimi i ndihmave i pamundur. Autokolona ishte planifikuar të mbërrinte në destinacion më 27 tetor, por misioni i saj ishte shtyrë për arsye sigurie, edhe për faktin se kampi ndodhet pranë bazës së një grupi rebel të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Që prej fillimit të vitit në Rukban ka patur gra shtatëzëna që kanë sjellë në jetë fëmijët pa patur asistencën minimale mjekësore, si dhe fëmijë që kanë vdekur për shkak të kushteve të rënda sanitare dhe mungesës së ndihmës shëndetësore. Autokolona, e përbërë nga 78 kamionë të OKB-së dhe Gjysmë Hënës së Kuqe, mbërriti më në fund ditën e shtunë. Sipas njoftimeve zyrtare, vullnetarët po shpërndajnë ushqime, mbathje, ilaçe dhe objekte higjenike për të zhvendosurit, 80 për qind e të cilëve janë gra dhe fëmijë. Operacioni mund të zgjasë nga 3 deri në 4 ditë dhe aktivistët kanë nisur edhe një fushatë vaksinimi për rreth 10 mijë fëmijë, për të shmangur prekjen e tyre nga sëmundjet e ndryshme. /abcnews.al

