Romelu Lukaku pëlqehet në Premier League, ndërsa Hakan Calhanoglu mund të transferohet tek Interi. Sulmuesi belg është një prej lojtarëve më vendimtarë të kampionëve të Italisë. Trajneri i ri, Simone Inzaghi nuk e imagjinon dot skuadrën pa të në majë të sulmit, por Chelsea mendon ndryshe.
Thomas Tuchel ka nevojë për një qendërsulmues dhe Roman Abramovich është gati t’ia plotësojë dëshirën. “Blutë e Londrës” fituan Champions League pak ditë më parë, teksa trajneri gjerman do të takohet me pronarin këto ditë. The Guardian thekson se Lukaku do të jetë tema kryesore e diskutimeve.
Interi kërkon minimalisht 100 milion euro për ta lënë të lirë goeladorin kryesor të skuadrës dhe paratë nuk janë problem për klubin londinez. Ndërkohë, Hakan Calhanoglu mund të quhet i larguar nga Milani. Drejtuesit i kanë ofruar rinovimin me një rrogë prej 4 milion eurosh në sezon.
Fantazisti turk kërkon më shumë, por Maldini nuk ka ndërmend t’i plotësojë tekat. Juventusi e pëlqen prej kohësh, por për momentin po punon për të siguruar shërbimet e Locatellit nga Sassuolo. Interi ka dalë në skenë për të ardhmen e milanistit.
Një afrim me kosto zero dhe një lojtar cilësor në ofensivë. CEO i Interit, Beppe Marotta po e mendon seriozisht t’i ofrojë një kontratë 27-vjeçarit, i cili do ndryshonte vetëm ngjyrën e fanellës dhe jo qytetin. /abcnews.al