Ciro Immobile ndodhej në formë fantastike përpara ndërprerjes së kampionatit dhe po zhvillonte sezonin më të mirë të karrierës. Sulmuesi i Lazios kryeson renditjen e golashënuesve të Serie A me 27 realizime, gjashtë më shumë se Cristiano Ronaldo.
Performancat pozitive dhe golat e shumtë kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve angleze. Liverpool dhe Everton po monitorojnë situatën e tij, teksa garës i është bashkuar edhe Manchester United. Solskjaer kërkon një goleador dhe drejtuesit janë gati të shpenzojnë 70 milion euro për 30-vjeçarin.
Ky i fundit ndihet për mrekulli në kryeqytetin italian dhe vështirë që të lëvizë këtë verë. Immobile është i përqendruar te fitimi i titullit kampion dhe pret me padurim të luajë në Champions League me Lazion sezonin e ardhshëm.
Aventurat e mëparshme jashtë Italisë, si te Dortmund edhe te Sevilla, nuk kanë shkuar mirë dhe lojtarin nuk e bind një tjetër transferim jashtë Serie A. Nga ana tjetër, Lazio po punon për t’i zgjatur kontratën, sigurisht me një rritje të konsiderueshme rroge. /abcnews.al

