Sipërmarrësit francezë vizitojnë Tiranën/Vlerësojnë klimën për investime

schedule14:27 - 12 Mars, 2018

schedule 14:27 - 12 Mars, 2018

Një grup sipërmarrësish francezë kanë vizituar Tiranën. Ata u pritën në një takim nga kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ku vlerësuan klimën pozitive për investime, ndërsa kryebashkiaku i shprehu mbështetjen për idetë që do të paraqesin.

Tirana është një qytet që ofron mundësi të mira për investime të huaja. Kjo është përshtypja që krijuan një grup sipërmarrësish nga krahina e Lionit në France ne përfundim të vizitës së tyre në kryeqytetin shqiptar. Ata u pritën në një takim edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i njohu me projektet, mundësitë e bashkëpunimit dhe lehtësitë për të investuar.

“Jemi këtu me 60 sipërmarrës për të njohur Shqipërinë. Përshtypja e tyre është tejet pozitive me realitetin që ata kanë parë. Kanë qenë në Vlorë, në Berat, në Tiranë dhe shpresojmë që një vizitë e tillë të shoqërohet me vizita të tjera këtë vit dhe vitin e ardhshëm që të jemi në gjendje të krijojmë sa më shumë ura mirënjohje dhe miqësie midis Francës dhe Shqipërisë”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj garantoi mbështetjen për çdo ide për të bërë biznes në Tiranë. Veç marrëdhënieve mes qeverive dhe institucioneve shtetërore theksoi Veliaj duhet te të krijohet dhe një bashkëpunim mes qytetarëve.

“Unë besoj se pjesë e të qënurit evropian nuk është vetëm protokollet që shkruajnë qeveritë apo firmat që hedhim me reforma shumë të rëndësishme, por marrëdhëniet mes njerëzve, njerëzit që bëjnë biznes, që shkëmbejnë kulturë, që fuqizojnë lidhjet mes njëri-tjetrit”, u shpreh Veliaj.

Gjatë këtij takimi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi presidentit të Klubit të Biznesit Francë-Shqipëri, Gazmend Toska në shenjë mirënjohje, simbolin e qytetit, Kullën e Sahatit të Tiranës.

Ndersa Ambasadorja e Francës në vendin tonë, Christina Vasak vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve dhe u shpreh e kënaqur që edhe ajo u bë pjesë e aksionit të gjelbërimit.