Vllaznia ka bërë disa lëvizje në merkato dhe në Shkodër janë të kënaqur me afrimet e bëra. Tregu i janarit nuk është se të ofron shumë opsione, por kuqeblutë kanë arritur të gjejnë katër lojtarë të cilët i japin më shumë mundësi trajnerit Mirsad Jonuz deri në përfundim të këtij sezoni.
Mevlan Adilin, Simeon Hristov, Eugeniu Sidorenco dhe Silvio Rodrigues Pereira Junior janë katër të afruarit te Vllaznia, klub që bën me dije se edhe afrimi i fundit për sulmin është i gatshëm për stafin teknik, pasi i ka mbërritur dokumentacioni i nevojshëm.
Kështu, për ndeshjen e nesërme me Bylisin, Silvio Junior do të jetë i grumbulluar. Vllaznia në këtë përballje mund të llogaritë edhe mbrojtësin Dejan Shehi, i cili mungoi ndaj Laccit për shkak kartonësh.
Rikthim i rëndësishëm edhe ai i Ramadanit, i cili do të marrë vendin e tij në mesfushë. Gurishta që e zëvendësoi kundër kurbinasve është i pezulluar, kurse për arsye dëmtimi në Ballsh me shumë mundësi nuk do të jetë as Florind Bardulla. /abcnews.al