Mjekja Silva Bino, anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve deklaroi se ata që kanë kaluar COVID-19 duhet të vaksinohen. Bino u shpreh në një intervistë për ABC se duhet të kenë kaluar të paktën tre muaj nga infektimi, por mund të vaksinohesh edhe para këtij afati, duke përjashtuar 14 ditët e para.
“Duhet të them dy gjëra që janë të rëndësishme, antitrupat që shfaqen ne nuk e dimë se sa mbrojtës janë. Jo të gjithë njerëzit që zhvillojnë sëmundje kanë mbrojtje. Këto janë dy elemente të rëndësishme. Ne dimë që brenda tre muajve mundësia e riinfektimit është shumë e vogël. Ka pasur raste por shumë pak.
Prandaj ne themi që të paktën të kenë kaluar tre muaj. Ajo që është e rëndësishme është që personi kur është me COVID nuk duhet të vaksinohet. Mund të vaksinohesh edhe para tre muajve por duhet të kalojnë më shumë se dy javë. Si për të gjitha sëmundjet infektive. Kjo ka qenë një argument shumë i qartë në komitet”, tha Silva Bino./mv.abcnews.al