Apeli i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, që shqiptarët në Maqedoni në raundin e dytë të zgjedhjeve të votojnë kandidatin Stevo Pendarovski ka acaruar opozitën në Shkup. Kandidatja për presidente Gordana Siljanovska i ka bërë thirrje Prishtinës që të mos përzihet në punët e Brendshme të Maqedonisë.
Zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli një një status të tij në Facebook ka vlerësuar pozitivisht mbarëvajtjen e e zgjedhjeve presidenciale të së djelës duke e cilësuar këtë si një process që shënon një hap të mëtutjeshëm në maturimin demokratik të vendit. Me këtë rast kryediplomati Kosovar ka komentuar edhe votën e shqiptarëve.
“Shqiptarët pasuruan ofertën politike me kandidaturën e profesor Blerim Rekës dhe me mbështetjen e një kandidati konsensual. Tash është koha që në raundin e dytë në emër të avancimit të statusit të tyre brenda kuadrit kushtetues, shqiptarët të bëhen bashkë në mbështetjen e atij kandidati që garanton rrugën pa kthim kah integrimi euroatlantik i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar zëvendëskryeministri i Kosovës duke vlerësuar se kështu vota shqiptare do të peshojë më shumë dhe ata do të rrisin peshën e tyre politike brenda institucioneve si qytetarë të barabartë të shtetit fqinj.
Një prononcim i këtillë i politikanit kosovar është komentuar nga kandidatja presidenciale Gordana Siljanovska-Davkoka e cila i ka bërë thirrje që të mos përzihet në punët e brendshme:
“Nuk kam asgjë kundër marrëdhënieve të fqinjësisë së mire, por kjo deklaratë është e pazakontë nga prizmi i parimit të Kombeve të Bashkuara për mospërzierje në punët e brendshme”, ka deklauar Davkova duke vlerësuar se shqiptarët e dijnë kujt do t’ia japin votën.
“Ata me abstenimin të djelën treguan se nuk përjetohen si objekte pazaresh politike”, ka theksuar kandidatja presidenciale e opozitës maqedonase duke hedhur poshtë zërat se nuk është albanofobe dhe se, sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian atje shkohet vetëm me luftë të pakompromis kundër korrupsionit, krimit e nepotizmit.
Nga rreth 756 mijë qytetarë të cilët votuan në raundin e pare të zgjedhjeve presidenciale, Blerim Reka i mbështetur nga opozita shqiptare siguroi 10.57%, Gordana Siljanovska-Davkova e opozitës maqedonase fitoi 42.24 për qind, ndërsa në epërsi u gjet Stevo Pendarovski i mbështetur nga koalicioni qeverisës maqedono-shqiptar me 42.85 për qind./abcnews.al