Sigurimi i detyrueshëm nga tërmeti/ Inxhinieri Meçe: Jemi vend sizmik, duhej bërë më herët

schedule13:38 - 8 Gusht, 2023

schedule 13:38 - 8 Gusht, 2023

SHQIPËRI- Qytetarët shqiptarë duhet të sigurojnë banesat e tyre nga tërmeti. Ky përcaktim është vendosur në projektligjin, i cili është hedhur për konsultim nga qeveria së fundmi. Specialistët e fushës thonë se kjo formulë duhej të zbatohej më parë duke marrë në konsideratë se Shqipëria është vend sizmik dhe fatkeqësi të tilla, kanë ndodhur vazhdimisht.

Inxhinieri i njohur Arben Meçe u shpreh për “Tirana Live” në Abc News se kur diskutohen nisma të tilla, dhe kur qytetarët duhet të paguajnë një shumë monetare, ka debate nga aktorë të caktuar të cilët përpiqen ta deformojnë thelbin e nismës.

“Ka një debat të madh për këtë iniciativë të re të qeverisë. Në momentin kur kërkohen të bëhen pagesa, menjëherë dalin këta boritë e mëdha, që mbrojnë interesin e qytetarit dhe fillojnë dhe deformojnë gjënë. Shqipëria duke qenë një zonë me intensitet sizmik dhe ndodhet në kushtet e riskut të vazhdueshëm të tërmeteve. Kjo është një iniciativë që prej kohësh duhej marrë para tërmetit, jo e lidhur me tërmetin. Ne jemi vend sizmik. Shteti ka detyrim t’i sigurojë qytetarët e vet nga risku dhe një nga elementet e riskut është tërmeti”, tha ai.

Sipas tij, fondi duhet të jetë në dispozicion të strukturave shtetërore dhe në raste fatkeqësish ai të vihet në shërbim të qytetarëve.

“Ky fond, është një fond që jep garancinë e një fondi që duhet të jetë në dispozicion të qeverisë, në momentin kur ndodh situata dhe duhet ta përdorim atë”, shtoi ai.

Ai shtoi se në këtë program nuk janë të përfshira 100% kompanitë e sigurimit. Këto të fundit shtoi Meçe mund të luajnë rolin e shitjes së policave të sigurimit dhe misioni i tyre përfundon në këtë moment.

“Ky Fondi Kombëtar nga Tërmeti, është një fond, që organizohet pranë qeverisë dhe është shoqëri aksionere. Nuk janë kompanitë e sigurimit. Kompanitë e sigurimit janë aktorë në lojë, sepse janë ato policat e sigurimit që shiten. Mundet që të përdor formulën se këta policë sigurimin të forcojnë shërbimin e shitjes së kësaj police, dhe deri këtu është misioni i kompanive private. Pjesa tjetër është një fond që ndodhet në thesin e madh që ka qeveria. Çështja është si do përdoret ky fond”, shtoi inxhinieri.

Vlera që duhet të paguhet do të përcaktohet me vendim qeverie, por paraprakisht vlerësohet se kjo shumë mund të variojë nga 15-25 euro në vit. Sipas Meçes, shuma monetare nuk është e lartë, por e përballueshme nga qytetarët.

“Nuk është ndonjë vlerë e madhe për hir të së vërtetës. Jam i bindur se nuk do jetë e tillë, por mund të ngrihet dhe do jetë Parlamenti që do ta caktojë shifrën. Pra debati do futet në korridore profesionale. Formula e fondit gjendet në gjithë vendet e perëndimit”, shtoi ai./ n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!