Siguria ushqimore/ Rama: Kush cënon sigurinë e jetës, burg deri në 15 vjet

schedule15:26 - 6 Maj, 2019

schedule 15:26 - 6 Maj, 2019

Ka nisur konsultimi me grupet e interesit për ndryshimet në Kodin Penal. Siguria ushqimore është një ndër fushat ku janë ashpërsuar më shumë dënimet. Kryeministri Rama ka kërkuar që të ndëshkimi të arrijë në 15 vjet burg për ata prodhues e tregtarë që rrezikojnë jetën e konsumatorëve.

Ndonëse është rritur siguria ushqimore sipas të dhënave të qeverisë, është po kjo e fundit që kërkon ashpërsim të ndëshkimit ndaj atyre që e cënojnë atë.

“Ne kemi detyrimin dhe e kemi marrë përsipër tani këtë sfidë të re shumë të fortë dhe komplekse të qeverisë, për ta çuar sigurinë ushqimore në një nivel tjetër. E vërteta është që në aspektin e sigurisë ushqimore  nuk ka krahasim me katër apo pesë vite më parë”.

Kush merr përsipër të cenojë shëndetin duhet të përballet me pasojat paralajmëroi kryeministri Edi Rama në tryezën e thirrur për të diskutuar ndryshimet në Kodin Penal me grupet e interesit.

Edhe tregtimi i mallrave jashtë afatit të përdorimit do të ndëshkohet me ligj. AKU ka konstatuar tregtimin e mallrave jashtë afatit dhe për fat të keq nuk ka ndodhur asgjë- tha kryeministri Rama.

Në kodin penal do të përfshihet edhe heqja e elementëve të sigurisë nga produktet ushqimore. Dhe dënimi do të jetë shumë i rëndë.

 “Nuk po flas për sasinë e dënimeve, por do të shkojnë deri në 10-15 vite burg”

Siguria ushimore është një ndër sektorët që do të ketë dënimet më të ashpra. Ndryshimet janë propozuar nga kryeministri Edi Rama një javë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!