Siguria ushqimore, Rama: Do të kemi raste shembullore goditjesh

schedule11:39 - 30 Korrik, 2019

schedule 11:39 - 30 Korrik, 2019

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi goditje shembullore ndaj sipërmarrësve që abuzojnë me ushqimin. Kreu i qeverisë zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët këtë të martë, ku tha se ka një sërë ndëshkimesh deri tek ato me heqje lirie për këta tregtarë që abuzojnë me prodhimet ushqimore.

“Dua ta theksoj fort se kemi hyrë në një fazë të re, jemi në hapat e para të një lufte pakompromis për të garantuar sigurinë ushqimore. Përpara pak ditësh Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal dhe sanksionet për abuzuesit me produktet ushqimore tanimë janë tejet të rënda. Ne nuk do të ndalemi në goditjen e tyre. Jam i bindur që në gjysmën tjetër të vitit dhe në vitin në vijim do të kemi raste shembullore goditjesh që nuk ia uroj asnjë sipërmarrësi në fushën e tregtisë së prodhimeve ushqimore, por askush nuk duhet të harrojë se tanimë janë një sërë sanksionesh me heqje lirie për ata që abuzojnë me ushqimin”, tha Rama teksa bënte një përmbledhje të situatës ekonomike gjysmën e parë të këtij viti.

Për këtë çështje, Rama tha se edhe pse ka qenë në një situatë jonormale, ekonomia është rritur. Prioritet për të ardhmen mbeten investimet theksoi më tutje kreu i qeverisë, ndërsa u ndal edhe tek informaliteti. Për këtë çështje tha se qeveria do ta ketë në fokus deri në fund të mandatit qeverisës.

“Edhe pse në një situatë krejt jonormale që do të thotë të pafavorshme për ekonominë aspak nxitëse, por frenuese për investitorët dhe konsumatorin u rrit krahasuar me një vit më parë me 2.21%. Ndërkohë që efekti i thatësirës së madhe është ndjeshëm duke pasur parasysh se vitin e shkuar patëm një vit me shumë reshje që do të thotë edhe me një mundësi të shtuar për rritjen ekonomike si rezultat i prodhimit të lartë të energjisë. Përtej këtij fakti mbetet prioritare që të fokusohemi tërësisht më tutje tek investimet publike dhe investimet private vendase dhe të huaja. Tek të ardhurat që siç mund ta dini kanë pasur një periudhë problematike për pasojë të frymës së antishtetit që u injektua në mënyrë të vazhdueshme dhe në forma shumë agresive gjë që ka ndikuar edhe në rritjen e informalitetit.

Informaliteti tani është në fokus dhe do të mbetet në fokus përditë deri në fund të mandatit. Punësimi ka shënuar një përparim që në raport me trendin historik vjen me një ulje të re nga gjashtë mujori i parë i vitit të shkuar. Është rritur 1.4 përqind krahasuar me një vit më parë dhe plus 0.6 krahasuar me gjashtëmujorin e parë. Një fakt vlen të vlerësohet, zyrat e punës vetëm në këtë 6 mujor kanë realizuar 16 mijë punësime. Informaliteti në punë ka shënuar rritje, mosregjistrimi i punonjësve. Gjë e cila është integruar në operacionin anti-informalitet që siç e thashë do vijojë intensivisht deri në fund të mandatit. Dua të ritheksoj se është një kosto e madhe ajo që jen si pasojë e shkeljes së ligjit në rastet kur konstatohet pasi dëmi që i vjen një biznesi të paregjistruar apo në aktivitet informal është shumë herë më i madh sesa fitimi përmes informalitetit”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!